Europiani luhet me tifozë, tre shtete të tjera japin konfirmimin zyrtar

  • A.P /
  • 07 prill 2021 - 22:04
Europiani luhet me tifozë, tre shtete të tjera japin konfirmimin zyrtar

Ndonëse e shtyu me një vit Kampionatin Europian, pandemia koronavirus nuk do të mund ta lërë pa magjinë e spektatorëve në shkallët e stadiumeve shfaqjen më të rëndësishme futbollistike të kontinentit.

Drejtuesit e UEFA-s kanë këmbëngulur vazhdimisht që në ndeshjet e Kampionatit Europian të ketë spektatorë, qoftë edhe në një numër të kufizuar dhe nga dita në ditë po marrin konfirmime pozitive nga vendet organizatore.

Italia, Anglia dhe Danimarka ishin të parat që konfirmuan praninë në masën 25-30% të kapacitetit të stadiumeve gjatë ndeshjeve të Europianit, ndërsa sot ishte radha që edhe autoritetet holandeze, skoceze e ato spanjolle të bënin të njëjtën gjë.

Kështu në “Johan Cruyff Arena” të Amsterdamit do të lejohet të ulen në shkallët e stadiumit minimalisht 12 mijë tifozë, pasi Federata Holandeze e futbollit ka arritur marrëveshjen me autoritetet shëndetësore dhe ato lokale.

Po 12 mijë tifozë pritet të ketë edhe në “Hampden Park” të Glasgoë-t, shifër që përbën 25% të kapacitetit maksimal të impiantit, ndërsa konfirmimin e kanë dhënë vetë autoritetet skoceze.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rajonin bask të Spanjës, Bilbao, pasi është miratuar prezenca e 15 mijë tifozëve në stadiumin “San Mames” që do të presë 4 ndeshje të Kampionatit Europian, shifër kjo që përbën 25% të kapacitetit total të impiantit.

Këto janë shifrat minimale, që mund të jenë edhe më të larta deri në nisje të Kampionatit Europian, megjithatë gjithçka do të varet nga ecuria e situatës së krijuar nga pandemia koronavirus.

(Kosova Sot Online)