Pioli: Gabuam ndaj Sampdorias, por duhet të shohim përpara

  • A.P /
  • 09 April 2021 - 22:26
Pioli: Gabuam ndaj Sampdorias, por duhet të shohim përpara

Pas një hapi fals ndaj Sampdorias, që e çoi 11 pikë larg Interit kryesues, Milani është përqendruar totalisht në objektivin për të arritur një vend në zonën Champions dhe për t’ia dalë duhet të synojë tre pikët që në transfertën e nesërme ndaj Parmës.

Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku kërkoi që të tijtë të interpretojnë shumë më mirë ndeshjen ndaj emilianëve dhe të mos përsëritin gabimet e bëra ndaj Sampdorias një javë më parë.

Sa e vështirë pritet transferta ndaj Parmës?
Vlen shumë paraqitja dhe ne nuk duhet të përsëritim gabimet që bëmë ndaj Sampdorias. Na duhen tre pikët dhe jemi të bindur në cilësitë tona, por për t’ia dalë, duhet të impenjohemi maksimalisht, pasi Parma ka një skuadër të shpejtë dhe të fortë fizikisht.

Si janë Calabria dhe Mandzukic?
Calabria ka fituar me meritë vendin e titullarit, duke bërë shumë mirë në të dy fazat e lojës, por më vjen shumë keq që nuk e kemi në dispozicion. Shpresoj të rikuperohet sa më shpejt, pasi kemi nevojë për të gjithë në këtë sprint final. Mario ka qenë pak i pafat, por është një njeri dhe futbollist i jashtëzakonshëm. Ka bërë vetëm tre stërvitje me ne dhe nuk është në maksimum fizikisht, por është një lojtar me personalitet, ndaj do të udhëtojë me ekipin në Parma.

Çfarë nuk shkoi ndaj Sampdorias?
Ndoshta qasja e gabuar në ndeshje, por edhe shpërqendrimi nga grumbullimet me përfaqësueset. Megjithatë është koha të shohim përpara, pasi nëse ruajmë mesataren aktuale të pikëve, do të arrijmë në kuotën e 80 pikëve, çka do të thotë se do ta kemi të sigurt një vend në zonën Champions.

Milani vuan kur kalon në disavantazh, por menaxhon shumë mirë situatën kur shënon e para…
Aspekti mental është shumë i rëndësishëm dhe kur kalon në avantazh fiton forcë dhe besim, ndaj unë këmbëngul në qasje sa më të mirë në ndeshje. Ne kemi nevojë për ritëm të lartë, që të shprehemi më mirë.

Theo Hernandez u pa shumë në vështirësi ndaj Sampdorias…
Vinte pas një ndeshjeje mjaft të mirë ndaj Fiorentinës dhe një paraqitje e dobët në kaq shumë takime edhe qëndron. E shoh vazhdimisht të përqendruar për të bërë mirë dhe besoj maksimalisht te ai.

(Kosova Sot Online)