Arsenali i shpëton humbjes kundër Fulhamit në çastet e fundit

  • A.P /
  • 18 April 2021 - 16:57
Arsenali i shpëton humbjes kundër Fulhamit në çastet e fundit

Edward Nketiah e shpëtoi Arsenalin nga një humbje tronditëse kundër Fulhamit, duke e shënuar golin që ia siguroi topçinjve një barazim dëshpërues 1:1 në minutën e 97-të të dielën në Londër.

Fulhami, që para takimit me Arsenalin i kishte humbur katër ndeshje radhazi në Premierligë, mendoi se po e arrinte një fitore madhështore në Emirates, por Nketiah doli në skenë në minutën e 97-të për ta shpëtuar Arsenalin nga një disfatë tronditëse.

Josh Maja e kishte kaluar Fulhamin në epërsi me një gol nga penalltia në minutën e 59-të, pasi VAR-i vendosi që Gabriel kishte bërë ndërhyje të palejuar në zonë.

Në një ndeshje, që ishte e dyta për Granit Xhakën si mbrojtës i krahut të majtë, Arsenali mbizotëroi por i mungoi efikasiteti në sulm.

Fulhami, ndërkohë, shënoi në goditjen e vetme në kornizën e portës së Ryan.

Përveç se e mbajti topin 68 për qind të kohës, skuadra e Mikel Artetës i krijoi një mori rastesh dhe shënoi gol vetëm pas pesë goditjeve në kornizën e portës nga 18 në total sa i pati.

Në atë që ishte korneri i fundit dhe ku u përfshi edhe portieri Ryan, Nketiah e shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Areola për të shënuar nga afërsia.

Arsenali ngel në vendin e nëntë me 46 pikë, nëntë pikë larg top katërshes. Fulham, në anën tjetër, mbetet i 18-ti me vetëm 27 pikë, gjashtë larg zonës së mbijetesës në Premierligë pesë ndeshje deri në përfundim të sezonit. 

(Kosova Sot Online)