Llapi – Prishtina, finale para finales

  • S.A /
  • 21 April 2021 - 14:40
Llapi – Prishtina, finale para finales

Sot do të luhet ndeshja e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Llapjanët e kanë fituar duelin e parë në kryeqytet, 3:2 Llapi dhe Prishtina do të përballen në mes vete këtë mesjavë, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Pa dyshim, kjo do të jetë ndeshja më e rëndësishme për këto dy skuadra deri tash këtë sezon.

Llapjanët e fituan duelin e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” para dy javësh me rezultat 3:2. Andaj, ata do të mundohen ta konfirmojnë kualifikimin në finale në stadiumin “Zahir Pajaziti” sot, në ballafaqimin që fillon në orën 15:00.

Në anën tjetër, kryeqytetasit shkojnë në Podujevë për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë. Skuadra që kualifikohet në finale, aty do të ketë punë me Dukagjinin. Klinasit e siguruan finalen në tavolinë pasi Istogu e kishte futur në lojë një futbollist që s’kishte të drejt loje. Siç dihet, fituesi i Kupës së Kosovës luan edhe në Europa League. Prandaj, kjo garë është bërë më interesante dhe më e rëndësishme në vitet e fundit.

(Kosova Sot Online )