Vedat Muriqi e dëshiron Fenerbahcen
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi duket se e ka bërë të qartë të ardhmen e tij, duke refuzuar oferta të rëndësishme nga jashtë Evropës për të realizuar dëshirën e tij për të veshur fanellën e Fenerbahce.
Sipas raportimeve nga “ASpor”, Muriqi ka refuzuar oferta tërheqëse nga NEOM SC dhe Orlando City, pavarësisht interesimit konkret nga këto klube për transferimin e tij.
Madje, në raport thuhet se edhe FC Barcelona kishte shfaqur interes për bomberin kosovar, por prioriteti i Muriqit mbetet kalimi te Fenerbahçe.
Sulmuesi i Kosovës besohet se ka zhvilluar edhe një takim kokë më kokë me Aziz Yildirim dhe dy figura që pritet të jenë pjesë e strukturës së ardhshme të futbollit te klubi turk. Ky takim shihet si një sinjal i fortë se negociatat mes palëve kanë hyrë në një fazë serioze.
Muriqi gëzon status të veçantë në futbollin turk falë paraqitjeve të tij të mëparshme me Fenerbahçen, ndërsa rikthimi i tij te gjiganti nga Stambolli do të pritej me entuziazëm të madh nga tifozët.
Tashmë mbetet të shihet nëse Fenerbahçe do të arrijë marrëveshjen finale për transferimin e sulmuesit kosovar, i cili duket i vendosur të rikthehet në Turqi pavarësisht ofertave financiare më të favorshme nga klubet tjera.
(Kosova Sot Online)
