Dijoni i Bersant Celinës bie nga liga, në sezonin e parë të kosovarit në klub
Bersant Celina e përjetoi sezonin më zhgënjyes debutues në karrierën e vet këtë vit, pasi klubi i tij Dijon ka rënë edhe zyrtarisht nga liga elitare e Francës
Dijoni ka rënë nga Ligue 1, pas humbjes turpëruese 5:1 kundër Rennes të dielën, katër javë para përfundimit të kampionatit në Francë.
Përfaqësuesi i Kosovës, Bersant Celina, do të luajë në kategoritë e dytë të futbollit francez nga sezoni i ardhshëm, nëse nuk largohet nga Dijoni, pas një viti zhgënjyes.
Celina – i cili iu bashkua Dijonit në verë nga Swansea City për 3.5 milionë euro – dështoi t’i ndihmojë skuadrës të qëndrojë në elitë, sepse Dijoni renditet i fundit në tabelën e Ligue 1 me vetëm 18 pikë nga 34 ndeshje.
Mesfushori sulmues dështoi të shënojë gol në 30 paraqitje për Dijonin në ligë dhe kontributi i tërë i tij ishin pesë asiste.
24-vjeçari ka marrëveshje që e lidh me Dijonin deri në vitin 2024.
Mbetet për t’u parë nëse ish-ylli i Manchester City do të qëndrojë në Dijon edhe pas rënies nga liga.
(Kosova Sot Online)
