Tuchel: Duhet të luftojmë për çdo centimetër në ndeshjen e dytë

  • S.A /
  • 28 April 2021 - 08:31
Tuchel: Duhet të luftojmë për çdo centimetër në ndeshjen e dytë

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka thënë se skuadrës së tij do t’i duhet të luftojë për çdo centimetër në ndeshjen e dytë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit, javën e ardhshme.

Të kaltrit e Londrës u kthyen nga Madridi me një gol të rëndësishëm si mysafir, pasi barazuan 1:1 në ndeshjen e parë të martën.

Chelsea bëri paraqitje shumë të mirë dhe e mbizotëroi Realin për pjesën më të madhe të ndeshjes, por nuk arriti ta mbrojë epërsinë e krijuar në pjesën e parë falë golit të Christian Pulisic, pasi Karim Benzema shënoi për vendasit pak çaste më vonë.

Por Tuchel e pranon se ende ka shumë punë për t’u bërë, në mënyrë që Chelsea ta arrijë finalen e parë që prej vitit 2012.

“Edhe sikur të kishim fituar këtu, çdo gjë është e mundur”, tha Tuchel pas ndeshjes.

“Është vetëm pjesa e parë dhe ne duhet të luftojmë për çdo centimetër dhe për çdo përparësi që duam ta kemi. Duhet të luftojmë dhe ta meritojmë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )