Chelsea e Reali e kërkojnë biletën e finales

  • S.A /
  • 05 May 2021 - 14:11
Chelsea e Reali e kërkojnë biletën e finales

Dueli i parë gjysmëfinal, i zhvilluar në Madrid javën e kaluar, ishte mbyllur 1:1, sonte përcaktohet finalisti i dytë i Championsit. Chelsea dhe Real Madridi do të mundohen ta nxjerrin sonte biletën që çon në finale të Ligës së Kampionëve. “Blues” dhe “Los Blancos” barazuan në duelin e parë gjysmëfinal në Spanjë 1:1 javën e kaluar.

Christian Pulisic kishte shënuar për vizitorët, kurse Karim Benzema e kishte barazuar rezultatin në stadiumin “Alfredo Di Stefano”. 

Prandaj, gjithçka mbetet e hapur rreth mundësive për ta prekur finalen e madhe, ku tashmë është kualifikuar Manchester City. Realit i janë rikthyer Sergio Ramos, Federico Valverde e Ferland Mendy. Ndërkohë, i mungojnë Raphael Varane, Dani Carvajal e Lucas Vazquez. Nga ana tjetër, Chelsea nuk do të mund të llogarisë në mesfushorin Mateo Kovacic. “Të Kaltrit” do të tentojnë ta përsërisin lojën e shfaqur në Madrid, ku ndoshta merituan më shumë se një barazim. Pa dyshim, ekipit të Thomas Tuchel i konvenon edhe një barazim pa gola në shtëpi për të shkuar tutje. Reali, nga ana e tij, nuk ka fituar në katër ndeshjet e fundit ndaj skuadrave angleze në udhëtim në Champions. Mirëpo, trajneri Zinedine Zidane ka shkuar në Angli për ta siguruar finalen e katërt nga katër gjysmëfinale sa i ka arritur deri tash. Trajneri francez ka thënë se ekipi duhet të japë gjithçka nga vetja për të dalë triumfues nga “Stamford Bridge”. Chelsea ndërkohë është duke e kërkuar finalen e tretë në histori. Londinezët vijnë nga fitorja 2:0 në fundjavë ndaj Fulhamit në Premierligë. E “Mbretërit” po ashtu nga triumfi 2:0 kundër Osasunës në La Liga. Ndeshja ndërmjet Chelseat dhe Real Madridit do të fillojë në orën 21:00.

(Kosova Sot Online )