Ronaldo zgjedh më të mirin prej 777 golave në karrierë

  • A.P /
  • 03 June 2021 - 18:39
Ronaldo zgjedh më të mirin prej 777 golave në karrierë

Ishte 3 prilli i vitit 2018, Juventusi priste Real Madrid në Torino në përballjen e parë çerekfinale të Champions League dhe të pranishmit shijonin një nga golat më të bukur që janë shënuar ndonjëherë.

“Los Blancos” fituan 0-3 dhe Cristiano Ronaldo realizonte një dygolësh, njëri prej të cilëve ishte thjesht kryevepër.

Roveshatë perfekte, Giggi Buffon i shtangur në vend dhe topi në rrjetë.

Një veprim teknik i jashtëzakonshëm dhe gjithë tifozët e Juventusit, që më vonë do të bëhej klubi i ardhshëm, në këmbë duke duartrokitur CR7.

Në prononcimin e dhënë për Livescore, sulmuesi 36-vjeçar e zgjedh si golin më të bukur të karrierës. “Kam shënuar 777 gola deri tani. Më i bukuri? Fatkeqësisht më duhet të zgjedh atë që i shënova mikut tim të madh, Giggi Buffon.

Ai mbetet goli im i preferuar”, deklaron CR7, i cili kujton edhe ndeshjen më të bukur. “Nuk mund të zgjedh dot një ndeshje në veçanti, por mendoj se ndeshjet në të cilat ke shënuar 3 apo 4 gola mbeten më të veçantat.

S’e harroj takimin ndaj Spanjës në Botëror Rusi 2018 (realizoi trigolësh në barazimin 3-3). E paharrushme mbetet edhe finalja e Champions League kundër Juventusit (2017), shënova dy gola“, thekson ylli portugez i skuadrës italiane.

(Kosova Sot Online)