Uzuni dëshiron edhe më shumë trofe

  • S.A /
  • 04 June 2021 - 11:29
Uzuni dëshiron edhe më shumë trofe

“Pse të largohem kur ndihem shumë mirë këtu?“. Kështu e nis Myrto Uzuni prononcimin për mediat hungareze.  Sulmuesi i kombëtares u shpall kampion dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës (15 gola) që në sezonin e parë me Ferencvaros. “Dubai nuk bën për mua, unë preferoj t’i kaloj pushimet me familjen. Gjatë vitit takohemi rrallë, ndërsa tani kam mundësinë të provoj gatimet e shijshme të mamasë time. Mblidhemi në mbrëmje, ushqehemi dhe qëndrojmë me orë të tëra duke biseduar.

Po vazhdoj të rikuperohem nga dëmtimi i pësuar. E kam marrë veten. Do të ishte bukur të luaja ndaj Uellsit dhe Çekisë, por rëndësi ka shëndeti dhe gjendja fizike“, deklaron 26-vjeçari në lidhje me dy miqësoret e kombëtares kuqezi. Më pas një koment rreth ambicieve për sezonin e ardhshëm. “Po përgatitem për të fituar sërish titullin kampion me Ferencvaros. Jemi një ekip i fortë dhe i bashkuar. Do të ishte fantastike të arrinim sukses edhe në futbollin ndërkombëtar.

Sezonin e kaluar bëmë mirë në Champions League, treguam që mund të jemi të suksesshëm në të gjithë frontet. Gjithçka varet nga përqendrimi dhe mentaliteti fitues“, deklaron një nga futbollistët më të mirë shqiptarë të momentit.

(Kosova  Sot Online )