Mount: Kovacic më ndihmoi të marrë fanellën e Modric, është idhulli im

  • E.K /
  • 12 June 2021 - 14:41
 Mount: Kovacic më ndihmoi të marrë fanellën e Modric, është idhulli im

Angli-Kroaci është ndeshja më e bukur e ditës së nesërme në Euro 2020.

Dy nga favoritët për fitimin e kompeticionit janë pjesë e grupit C dhe të dielën (15:00) do të masin forcat në “Wembley”.

Moment magjik për Mason Mount, i cili fitoi Champions League me Chelsea pak ditë më parë.

Duke folur për atë ndeshje, 22-vjeçari tregoi se ka një simpati të madhe për Luka Modric, me të cilin u përballë në gjysmëfinale të Champions League.

Lojtari anglez tregon një prapaskenë interesante në lidhje me mesfushorin e madh kroat, të cilin do e ketë sërish si kundërshtar nesër në drekë. Fanellën e tij e kishte fiksim dhe Matteo Kovacic e ndihmoi ta bënte të veten.

“Po, e kam fanellën e Modric në shtëpi bashkë me fanellet e tjera që kam bërë koleksion. Bisedova me Kovacic përpara ndeshjes me Real Madrid në Champions League, i kërkova nëse mund të më ndihmonte të merrja fanellën e Modric”, tha ia.

“E pyeta nëse mund t’ia kërkonte për mua. Ia dola ta siguroj fanellën e Modric, i cili kërkoi të kishte timen. Më duhet të them që e kam pasur ëndërr të luaja kundër tij. E kam ndjekur gjithmonë, që prej kohës kur luante në Premier League me Tottenham”.

“Kur u ndeshëm këtë sezon me Realin, i dija përmendësh të gjitha lëvizjet që do të bënte, pasi e kisha studiuar mirë prej kohësh. Të ndihmon fakti kur je adhurues i dikujt dhe më pas përballesh me të si kundërshtar”. “Kam mësuar dhe jam përmirësuar shumë falë dy ndeshjeve të Champions League kundër Real Madrid”.

(Kosova Sot Online)