Xhaka dhe Rui Patricio transferimet e para të Mourinhos te Roma, zyrtarizimi pas “Euro 2020”

  • G.G /
  • 12 June 2021 - 13:45
Xhaka dhe Rui Patricio transferimet e para të Mourinhos te Roma, zyrtarizimi pas “Euro 2020”

Ndërkohë që vëmendja është e përqendruar te Kampionati Europian, drejtuesit e Romës vijojnë punën për të përforcuar skuadrën në kuadër të sezonit të ri dhe synimi është që të kompletojnë sa më shpejt grupin në dispozicion të Jose Mourinhos.

Ky i fundit ka pasur kërkesat e tij specifike, që janë portieri veteran portugez Rui Patricio dhe mesfushori me origjinë shqiptare Granit Xhaka, ndërsa mediat në Itali raportojnë se Roma ka arritur marrëveshjen me të dy këta futbollistë.

Xhaka pritet të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare me pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuset, por edhe me opsion për rinovimin edhe një vit të 5-të, ndërsa tani drejtuesit e Romës janë duke sistemuar detajet e transferimit me klubin e Arsenalit.

“Topçinjtë” kanë rënë dakord për një shifër prej 18 milionë eurosh plus bonuset dhe pikërisht këta të fundit janë duke u negociuar nga palët, pasi anglezët synojnë të përfshijnë sa më shumë shpërblime të arritshme lehtësisht.

E njëjta situatë edhe për portierin Rui Patricio, kontrata e të cilit me Wolves skadon verën e ardhshme, por klubi anglez pritet ta lërë të lirë 33-vjeçarin kundrejt një dëmshpërblimi simbolik.

Gjithsesi vlen të theksohet se të dy këta futbollistë janë të angazhuar në Europian me përfaqësueset përkatëse dhe zyrtarizimi te Roma do të vijë vetëm në përfundim të këtij kompeticioni.

(Kosova Sot Online)