Sonte Kroaci-Spanjë, për një vend në çerekfinalen e Euro 2020

  • S.A /
  • 28 June 2021 - 10:16
Sonte Kroaci-Spanjë, për një vend në çerekfinalen e Euro 2020

Pas eliminimeve të dhimbshme në aktivitetet madhore, Spanja ka rastin për t’u kthyer në rrugën e duhur, teksa do të matë forcat në fazën e 1/8 me përfaqësuesen e Kroacisë. Dy vendet kanë pësuar rënie dhe sigurisht nuk po përjetojnë momentet e tyre më të mira, megjithatë është e qartë që një kalim në fazën çerekfinale do të përmirësonte situatën, duke rikthyer besimin te ekipi që do të meritonte kualifikimin mes tetë përfaqësueseve më të mira në këtë edicion të 16 të kampionatit evropian. Në evropianin e fundit Spanja e Vicente del Bosque-s u eliminua që në fazën e 1/8 nga Italia e Antonio Conte-s, ndërsa Kroacia në krahun tjetër u mposht që në raundin hapës të fazës së “knock out”-it nga Portugalia e Cristiano Ronaldos, pra pikërisht vendi që fitoi titullin, falë një goli të realizuar në 117’ nga Ricardo Quaresma.

Kohët kanë rrjedhur shpejt dhe finalja e humbur në Moskë me Francën në Kupën e Botës tre vjet më parë i përket të kaluarës, pasi në Kroaci janë duke u ndërruar brezat dhe tani është vërtet shumë e vështirë që të pretendohen rezultate menjëherë nga një seleksion i tillë. Nga ekipi janë larguar emra të rëndësishëm, disa prej tyre madje edhe e kanë lënë futbollin, sidoqoftë trajneri Zlatko Dalic nuk ka gjetur ende zëvendësues për lojtarë si Mario Mandzukic apo Ivan Rakitic.

 

Kroacia ka rrëshqitur jashtë dhjetëshes së parë të FIFA-s dhe aktualisht kjo përfaqësuese pozicionohet në vendin e 14 në renditjen botërore, gjithsesi është e qartë që me shumë gjasa ky do të jetë evropiani i fundit për emra të tillë si Dejan Lovren, Domagoj Vida, Luka Modric, Milan Badelj dhe Ivan Perisic. Kroacia është grumbulluar në atdhe në Rovinj, sidoqoftë këtë herë do të udhëtohet në veri të kontinentit për të luajtur për herë të parë në Danimarkë, ndërsa Spanja është stërvitur gjatë gjithë kohës në kryeqytet, duke pasur parasysh që ndeshjet në grupe “La Roja” i luajti në shtëpi, në jug të vendit në Krahinën Autonome të Andaluzisë. Kroacia e siguroi kualifikimin vetëm në sfidën përmbyllëse ndaj Skocisë në “Hampden Park”. 23-vjeçari i CSKA-së së Moskës, Nikola Vlasic, u shpall “ylli” i takimit dhe bashkë me veteranin Luka Modric morën për dore skuadrën, duke fituar 3-1 brenda në Glasgov. Më herët kroatët humbën një sfidë pak a shumë të barabartë në Ëembley me Anglinë, ndërsa me Republikën Çeke Ivan Perisic barazoi shifrat që në startin e pjesës së dytë. Për rrjedhojë ekipi i drejtuar nga trajneri Zlatko Dalic zuri vendin e dytë në Grupin D dhe tani Kroacia do të përballet me Spanjën, që e garantoi gjithashtu kalimin për në fazën e “knock out”-it pikërisht në takimin përmbyllës me Sllovakinë.

Në Grupin E “La Furia Roja” pati disa mundësi të mira në ndeshjen e parë ndaj Suedisë, të cilat nuk u shfrytëzuan, ndërsa në duelin tjetër në stadiumin “La Cartuja” të Seviljes vendasit nuk e mbajtën dot gjatë epërsinë, pasi Robert Leëandoëski barazoi shifrat pas një goli shumë të bukur me kokë.

Skuadra e Luis Enriques ka shpërdoruar dy 11-metërsha në këtë evropian me anë të sulmuesve Gerard Moreno e Alvaro Moratta, gjithsesi në duelin e fundit me Sllovakinë vendasit e përmirësuan ndjeshëm lojën dhe përfituan në maksimum edhe nga gabimet trashanike të portierit të Neëcastle, Martin Dubravka, për të fituar në mënyrë spektakolare me rezultatin 5-0.

Me pak më tepër fat Spanja mund të evitonte trafikun në pjesën e sipërme të shortit dhe të përballej me Ukrainën në Glasgoë në anën e poshtme, por një gol në kohën shtesë nga ana e Viktor Claesson i dha mundësinë Suedisë për të triumfuar ndaj Polonisë, duke sjellë kështu edhe përballjen Spanjë – Kroaci.

Zlatko Dalic nuk do të ketë në dispozicion një futbollist tepër të rëndësishëm si Ivan Perisic, ndërsa Luis Enrique në krahun tjetër i ka të gjithë në apel. Kroacia ka fituar 2 nga 3 sfidat e fundit mes tyre, gjithsesi vetëm dy muaj pasi ishin shpallur nënkampionë të botës futbollistët e drejtuar nga Zlatko Dalic pësuan një humbje me shifra tenistike 6-0 në qytetin e Elche-s.

Bilanci në 4 sfidat kompetitive është i barabartë 2-2, ndërkaq Spanja kryeson statistikat e përgjithshme 4-3 me fitore në 8 ndeshjet ndërmjet tyre. Takimi Kroaci – Spanjë do të luhet në orën 18:00 në Stadiumin Parken të Kopenhagenit dhe do të drejtohet nga kryesori turk Cuneyt Cakir.

(Kosova Sot Online )