Kritika të ashpra ndaj yllit të Chelseat, pasi ra mbi një peshk gjigant në rrezik zhdukjeje

  • S.A /
  • 05 July 2021 - 10:36
Kritika të ashpra ndaj yllit të Chelseat, pasi ra mbi një peshk gjigant në rrezik zhdukjeje

Mesfushori i Chelseat dhe Amerikës, Christian Pulisic, po kritikohet ashpër për shkak të një videoje me një peshk gjigant goliath, i cili është në rrezik zhdukjeje.

Të shtunën, një video u bë virale në rrjetet sociale ku 22-vjeçari shihet i ulur në një barkë duke zhongluar me topin mbi peshkun gjigant, i cili mbahej me forcë nga persona të tjerë, transmeton Gazeta Express.

Pulisic e humbi kontrollin e topit dhe ra në ujë, duke u hedhur mbi peshkun.

Mesfushori, i cili i zhvilloi 43 ndeshje për Chelsean sezonin e kaluar dhe i shënoi gjashtë gola, u kritikua nga Blue Planet Society, grupi vullnetar i presionit, i cili bën fushatë për t’i dhënë fund mbishfrytëzimit të oqeaneve të botës.  

Në një reagim në Twitter, ky grup shkroi: “Ta abuzosh një peshk goliath për një video në rrjetet sociale është gjëja më e ulët”.

Goliath është peshk i madh që gjendet në ujerat tropikale. 

(Kosova Sot Online )