'Euro 2020' ishte mjaft i bereqetshëm

  • A.P /
  • 08 July 2021 - 15:44
'Euro 2020' ishte mjaft i bereqetshëm

“Euro 2020” ishte mjaft i bereqetshëm, deri tash u shënuan 140 gola, ose një mesatare prej 2.80 golash për ndeshje

Kampionati Evropian ishte mjaft i bereqetshëm. Pas kompletimit të finales janë zhvilluar 50 ndeshje me një total prej 140 golash të shënuar. Pra, në bazë të statistikave, ekipet kanë qenë mjaft të disponuara për të shënuar. Mesatarja e golave për ndeshje është 2.80. Kjo i bie që janë shënuar gola çdo 32 minuta, një statistikë impresionuese kjo.

Më së shumti, gola janë shënuar në mes të minutave 46-60. Spanja është ekipi që ka shënuar më së shumti gola, 13, e ndjekur nga Italia, që i ka 12 e Danimarka 11. “Stuhia e Kuqe” e mban edhe një primat, atë të posedimit të topit.

Spanjollët e kishin topin nën kontroll në një mesatare prej 66.8 për qind. Pas tyre renditen Gjermania e Holanda. Fatkeqësisht, që të tria janë eliminuar tashmë nga Evropiani. Ekipi i Luis Enriques me të vërtetë la gjurmë në “Euro 2020”.

Spanjolët e kishin një saktësi të jashtëzakonshme prej 89.3 për qindësh, njëjtë sa e kishte edhe Gjermania. Kurse, e treta në këtë aspekt ishte Franca. Më së shumti pritje në portë i kishte Zvicra, respektivisht portieri Sommer, me 21 sosh.

E sa u përket lojtarëve, Cristiano Ronaldo i Portugalisë dhe Patrik Schick i Republikës Çeke i kanë nga 5 gola, të ndjekur nga Benzema, Kane, Forsberg e Lukaku, me nga katër. Kurse, ylli kosovar, Xherdan Shaqiri i kishte tre.

E listës së asistuesve iu prin Zuber i Zvicrës me 4, i ndjekur nga Olmo i Spanjës dhe Shaë i Anglisë. Shpejtësinë më të lartë në këtë Evropian e arritën dty lojtarë, Spinazzola i Italisë dhe Nego i Hungarisë. I treti ishte Coman i Francës.

Sa i përket distancës së përshkuar gjatë Evropianit, primatin e mban talenti i Spanjës, Pedri, me 76.1 kilometra. I dyti është Jorginho i Italisë, e i treti Laporte i Spanjës. Më së shumti gjuajtje në portë i patën Schick i Republikës Çeke e Morata i Spanjës, me nga 9. Kurse, Ronaldo i Portugalisë është i treti me 8 tentime.

E në fund, në statistikat e pasimeve më të sakta, primatin e mban James i Anglisë. Ai ishte 99 për qind i saktë në pasimet e tij, i ndjekur nga Boyata i Belgjikës dhe Hummels i Gjermanisë. 

(Kosova Sot Online)