Mbappe i ngacmon tifozët e Real Madridit në Instagram

  • S.A /
  • 01 September 2021 - 09:30
Mbappe i ngacmon tifozët e Real Madridit në Instagram

Kylian Mbappe nuk do të luajë në Real Madrid në vitin 2021, pasi i dështoi kalimi në Santiago Bernabeu para mbylljes së afatit kalimtar të verës më 31 gusht, por sulmuesi francez gjeti kohë për ta lënë një mesazh ngacmues në rrjetin social Instagram.

Mbappe kishte qenë i qartë në qëndrimin e tij për të luajtur për Real Madridin, klubin e fëmijërisë, por ai do të detyrohet tani të presë për të paktën edhe një vit për ta përmbushur ëndrrën.

Në një video të postuar në llogarinë e vet në Instagram, e cila është fshirë menjëherë, Mbappe u shpreh tërthorazi për dështimin e kalimit të tij në Madrid.

“Ju respektoj, vëlla, për profesionalizmin tuaj, caktoje përsëri (përmbushjen) e ëndrrave tuaja për më vonë, jeta është e bukur, ju jeni më i miri”, Mbappe e lexoi një fragment në një video në Instagram, me këngën e Aerosmith “Dream On” (Vazhdo të ëndërrosh) që luajti në sfond.

Ky, sipas MARCA-s, është tregues i qartë se ai nuk ishte në gjendje ta përmbushte ëndrrën për të luajtur në Real Madrid këtë vit, megjithëse ai e fshiu videon pa humbur kohë.

Paris Saint-Germain nuk iu përgjigj fare Real Madridit në ofertat për Mbappen, duke mos dashur të dëgjojë fare për shitjen e francezit.

Mbappe e ka më pak se një vit të mbetur në kontratën e tij me PSG-në dhe nëse nuk e vazhdon atë, atëherë ai do të jetë i lirë të nënshkruajë me Madridin qysh në janar.

(Kosova Sot Online )