Kosova U21 e pafuqishme përballë Anglisë, pavarësisht lojës së mirë

  • A.P /
  • 07 September 2021 - 22:04
Kosova U21 e pafuqishme përballë Anglisë, pavarësisht lojës së mirë

Kosova U21 ka humbur me rezultat 2-0 kundër Anglisë U21, pavarësisht një loje të mirë që bëri por që nuk shfrytëzoi shanset që pati, sidomos në fillim të ndeshjes. Golat për Anglinë U21 i shënuan Brewster (11) dhe Palmer (27). Kjo është ndeshje e dytë e Kosovës U21 në Grupin G ku ka një fitore dhe një humbje

Kosova U21 ka humbur sonte në Milton Keynes kundër Anglisë U21 me rezutlat 2-0.

Kosova U21 e nisi këtë ndeshje shumë më mirë se Anglia U21 dhe disa herë ishin afër për të shënuar. Në fakt në 10 minutat e parë Kosova ushtroi presion në anglezët të cilët në shumë raste i gjeti të papërgatitur.

Megjithatë, një kundërsulm i shpejt i Anglisë U21 në minutën e 10 bëri që Brewster të depërtojë në zonë. Portieri i Kosovës, Besson u vonua në ndërhyrjen e tij dhe shkaktoi penallti të cilën në gol e shndërroi i njëjti lojtar.

Pas golit të pësuar Kosova U21 ishte më e demoralizuar.

Ata filluan të këndellën pas minutës së 20-të dhe ishin afër që të barazojnë rezultatin por që nuk e arritën këtë pavarësisht se patën dy mundësi të mira.

Kur nuk shënon pëson. Kjo rregull vlejti edhe për Kosovën.

Palmer do ta linte në gjumë Florian Hotin në këndin e majtë për të shënuar gol në minutën e 27-të.

Ai shënoi një gol të bukur derisa edhe kësaj radhe portier i Kosovës U21, Besson ishte në gjumë dhe reagoi shumë ngadalë kundër Palmer.

Me këtë rezultat përfundoj edhe pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Anglia U21 ishin shumë më të mirë dhe vazhdimisht kishin raste në drejtim të portës së Besson.

Ata kontrollonin lojën dhe posedimin e topit derisa Kosova U21 nuk rrezikoi deri në minutat e fundit të ndeshjes.

Diamant Berisha më të hyrë në lojë pati një goditje të mirë në drejtim të portës se Bursik të Anglisë U21 por që portieri anglez e grushtoi topin për ta depërtuar jashtë në rivënie nga këndi.

Pavarësisht humbjes, Kosova U21 bëri një paraqitje të mirë por nuk pati fat që rastet e krijuara t’i shndërroi në gol.

Kjo tregon edhe në tentimet për gol ku Kosova U21 kishte tetë aq sa kishte Anglia U21.

Pas kësaj humbje Kosova bie në vendin e 5-të me 3 pikë aq sa ka Shqipëria U21 që është në vendin e 4-të dhe Sllovenia U21 në vendin e tretë. Përjashto Anglisë U21 që luajti ndeshjen e parë kundër Kosovës U21 të tria këto Kombëtare kanë nga dy ndeshje të zhvilluara.

Ndërkaq, Andorra që është e fundit ka të luajtura tri ndeshje dhe nuk ka asnjë fitore.


(Kosova Sot Online)