Ronaldo: Isha tepër nervoz, prisja ta shënoja një gol por jo dy

  • G.G /
  • 12 September 2021 - 10:58
Ronaldo: Isha tepër nervoz, prisja ta shënoja një gol por jo dy

Cristiano Ronaldo ka thënë se ishte tepër nervoz para se t’i shënonte dy gola në kthimin e shumëpërfolur në Manchester Unitedin në fitoren 4:1 kundër Newcastle United të shtunën.

Sulmuesi 36-vjeçar e bëri paraqitjen e parë për Unitedin pas 12 vjetëve në një atmosferë të zjarrtë në Old Trafford.

“Nuk prisja t’i shënoja dy gola. Prisja ta shënoja një por jo dy. Ishte një çast i pabesueshëm”, tha Ronaldo pas ndeshjes.

Ronaldo i kishte shënuar 118 gola në 292 paraqitje për Unitedin nga viti 2003 deri në vitin 2009, kur ishte larguar për t’iu bashkuar Real Madridit.

Tifozët e Unitedit, të veshur me fanellën e CR7, bënë atmosferë të zjarrtë në Old Trafford nga ngazëllimi për kthimin e portugezit.

Ata e brohoritën emrin e Ronaldos para fillimit të ndeshjes dhe shumë kohë pas përfundimit të saj kur 36-vjeçari po fliste për media.

“Është e pabesueshme. Kur e nisa ndeshjen isha tepër nervoz, betohem”, këmbënguli Ronaldo.

“Nuk prisja që ata do ta brohorisnin emrin tim tërë ndeshjen. Pritja ishte e jashtëzakonshme por unë jam këtu për të fituar ndeshje dhe për ta ndihmuar ekipin”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)