Vdes nga koronavirusi fizioterapeuti i Kombëtares së Shqipërisë

  • S.A /
  • 13 September 2021 - 14:17
Vdes nga koronavirusi fizioterapeuti i Kombëtares së Shqipërisë

Kjo e hënë vjen me një lajm të hidhur për sportin e në veçanti për futbollin shqiptar.

Nuk ka mundur të fitojë betejën me COVID-19 Ylli Mihali, fizioterapisti i Kombëtares, i cili prej pak kohësh po luftonte me virusin famëkeq. Ai ndodhej i intubuar prej disa ditës. Lajmin e trishtë e dha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nëpërmjet një mesazhi të ndjerë në Facebook.

Postimi i Dukës:

“Të dashur miq,

Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19.

Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njohu dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qenë pranë tyre në ҫdo situatë.Humori, dashuria për njerëzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!

(Kosova Sot Online )