Nedim Bajrami, lider i Empolit

  • G.G /
  • 16 shtator 2021 - 14:40
Nedim Bajrami, lider i Empolit

Është një fillim sezoni i mbarë për Nedim Bajramin, lojtar i aftë të shpaloste menjëherë vlerat e tij në Kombëtaren kuqezi, ku pati një impakt të menjëhershëm në sfidat e shtatorit për Shqipërinë, duke i dhuruar fantazi e impulse të reja në sulm skuadrës së Edi Rejas.

Rritja e mesfushorit është konstante edhe në klubin ku luan, tek Empoli, me mediet italiane që e përvijojnë si liderin e ri të skuadrës.

Empoli ka bërë një nisje me luhatje të sezonit, ku është shfaqur si një skuadër e aftë për të mposhtur Juventusin në “Allianz Stadium”, për t’u mposhtur më pas në shtëpi nga Venezia, por Bajrami që në 3 ndeshjet e para ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist, duke konfirmuar se është pika kyçe e lojës sulmuese të skuadrës, konture që i ka shfaqur edhe te prezencat e para te Shqipëria.

Më në fund, Bajrami po shfaq vlerat e tij në Serinë A, pas disa sezoneve të mira në Serinë B, duke u konfirmuar si një futbollist i aftë për të luajtur në të gjitha rolet e mesfushës, edhe pse pozicioni i tij natyral është ai që po mbulon aktualisht: trekuartisti pas dy sulmuesve.

Në dy sezonet e para tek Empoli ka koleksionuar në total, në të gjitha kompeticionet, 12 gola dhe 14 asiste, ndërsa në elitën e  futbollit Italian këtë vit ka shërbyer një asist për shokun e skuadrës, Bandinelli, në ndeshjen me Lazion, duke shënuar edhe golin ndaj Venezias.

Pavarësisht mbërritjes tek Empoli të lojtarëve të rëndësishëm si Pinamonti apo Cutrone, shqiptari mbetet lideri i të kaltërve, ai që mund të shpikë në çdo moment aksionin vendimtar për skuadrën toskane.

(Kosova Sot Online)