“Arsenali bleu 58 milionë euro lojtar që nuk e njeh askush, United 47 milionë Varanen, si është e mundur”

  • G.G /
  • 24 September 2021 - 14:43
“Arsenali bleu 58 milionë euro lojtar që nuk e njeh askush, United 47 milionë Varanen, si është e mundur”

Gallas s’po mundet ta besojë se si Arsenali shpenzoi afër 60 milionë euro në një lojtar si White, derisa United për më pak se 50 milionë euro ka blerë kampion bote, njeriun që ka fituar gjithçka, katër trofe të Champions League – Varanen.

Arsenali e nisi shumë keq sezonin, duke pësuar tri humbje radhazi në Premierligë.

Më pas erdhën fitoret minimale ndaj Norwichit dhe Burnley, por prapë se prapë nuk e fshehin punën jo të mirë të Topçinjve.

Kritikat për Mikel Artetën dhe drejtuesit, për merkaton e zhvilluar, janë të shumta, por kur bëhen nga një ish, si francezi William Gallas, marrin më shumë peshë.

Tashmë 44-vjeçar, ish-mbrojtësi i londinezëve në periudhën 2006/2010, bën një krahasim mes shumave që janë paguar për dy lojtarë, Ben White dhe Rafael Varane, për të kuptuar menaxhimin e dobët të drejtuesve të Arsenalit.

Ai ende nuk po mundet ta besojë se si Arsenali shpenzoi afër 60 milionë euro në një lojtar si White, shpenzim i pamenduar ngjashëm si në shumë sezone.

“Ende po përpiqem të kuptoj pse Arsenali ka shpenzuar 50 milionë stërlina (58 milionë euro) për një lojtar që ende nuk ka treguar asgjë në nivelin më të lartë. Ndërkohë që Manchester United pagoi 40 milionë stërlina (47 milionë euro) për Varane. Duhet të ma shpjegojë dikush sesi është e mundur. Ndoshta ka një shpjegim, pjesërisht: Ben White është anglez. Por Varane është një lojtar i një klasi më të lartë. Ben White është ende i ri, por, siç e thashë më herët, nuk ka vërtetuar asgjë akoma. Si mund të shpenzosh 50 milionë për të? E respektoj, por nuk e njoh. E respektoj atë dhe shpresoj që të bëhet një lojtar i madh, por nuk mund ta krahasoni Ben White me Varane. Më falni, por kjo nuk është e mundur. Nuk flas kështu sepse jam francez. Varane vjen nga Reali i Madridit, jo nga Brighton”, u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)