Hakimi i habitur me sjelljen e Leo Messit

  • S.A /
  • 27 September 2021 - 09:09
Hakimi i habitur me sjelljen e Leo Messit

Lionel Messi është i thjeshtë dhe i qetë në zhveshtore, sipas Achraf Hakimit, i cili e pranon se është i habitur me sjelljen e superyllit të Paris Saint-Germain.

Qëndrimi 21-vjeçar i Messit në Barcelonë mori fund para kohe gjatë verës, për shkak të krizës financiare në klubin katalonas, por ai shpejt e zgjodhi PSG-në si klubin ku deshi ta vazhdonte karrierën e bujshme. 34-vjeçari nënshkroi marrëveshje dyvjeçare me gjigantin francez dhe nga ai pritet ta frymëzojë skuadrën e Mauricio Pochettinos drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve.

Por Hakimi thotë të jetë mahnitur nga karakteri i rezervuar i Messit jashtë fushës.

“Ta ndërtosh një lidhje teknike me të është e lehtë! Unë ia jap topin atij, vrapoj dhe ai do ta vendosë topin aty ku duhet!” tha mbrojtësi i djathtë i PSG-së, i cili iu bashkua klubit këtë verë po ashtu.

“U habita me mënyrën sesi u soll ai, i thjeshtë dhe i qetë”, tha Hakimi për Messin.

Mbrojtësi maroken ndihet mirënjohës që e ka mundësinë të luajë përkrah Messit, sepse mendon se ai dhe bashkëlojtarët e tij mund ta arrijnë një nivel të ri duke punuar me gjashtë herë fituesin e Topit të Artë.

“As unë si të gjithë të tjerët nuk e prisja që Messi të largohej nga Barça dhe kur dëgjova se po vinte këtu, çfarë mund të them? Një ëndërr për mua”, shtoi ai.

“Kam luajtur me shumë futbollistë të mëdhenj dhe i vetmi që mungonte ishte Messi. Jam krenar që do të zhvillohem me një futbollist aq të mirë”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online )