Kriminelët jashtë institucioneve të shtetit, kështu kthehet besimi në drejtësi dhe ligj

Kriminelët jashtë institucioneve të shtetit, kështu kthehet besimi në drejtësi dhe ligj
Kriminelët jashtë institucioneve të shtetit, kështu kthehet besimi në drejtësi dhe ligj

Dardan Grapci

  • 27 September 2021 - 07:35

Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci

Më në fund po fillohet që drejtësia të fitoj respekt nga qytetarët e Republikës së Kosovës, më në fund po vjen era shtet, dhe më në fund, me hapa të sigurt, ndoshta me hapa të ngadalësuara por të sigurt, po pastrohet shteti nga ata që për dy dekada e kanë shantazhuar dhe vjedhë popullin e vet.

Derisa kanë filluar dhe më në fund po arrestohen zyrtaret të cilët kanë marrë ryshfet gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ky është një sinjal serioz i fillimit të funksionit të ligjit si përgatitje e terrenit për procesin e madh te fshesës me Vetting. Prokuroria Themelore në Prishtinë po luan një rol më aktiv dhe ka kohë që në bashkëpunim me departamentin e krimeve të rënda po i hetojnë ata polic të cilët kanë marrë dhe po marrin ryshfet prej qytetareve sepse ty ku nuk ka ligj, nuk ka liri. Kur nuk zbatohet ligji dhe kur nuk dënohet krimi, shuhet në heshtje jeta dhe siguria njerëzore; perspektivat dhe lind despotizmi i një oligarkie e nomenklaturës së kriminelëve, të cilët luftojnë për pushtet, për të marrë në posedim pronat dhe jetën e individëve.

Kjo është e kundërta e lirisë, që do të thotë mosbesim në institucionet që udhëheqin. Ne i paguajmë taksat sepse kemi besim se paratë do të vihen në shërbimin dhe cilësinë tonë jetësore. Mirëpo, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një problem politik dhe si e tillë, duhet tu adresohet organizmave të drejtësisë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe politikës. Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm dënim e ndëshkim. Ajo duhet të përhapë edhe besim, siguri, ndërgjegje, motivim.

Drejtësia është ajo që e mban të gjallë shtetin dhe organizmat e tij. Mirëpo kur drejtësia nuk funksionon, korrupsioni dhe krimi lulëzojnë, duke kërcënuar pronën private, liritë e individëve dhe sipërmarrjet, tregun e konkurrencën, shkencën dhe kulturën, zhvillimin ekonomik, etj. Kështu, pak e nga pak, të gjithë i nënshtrohemi frikës dhe demokracia kthehet në një farsë. Prandaj me këto hetime mund të them se Ligji i Vettingut, nga një segment i caktuar vetëm po testohet se si do të ketë efektin pas miratimit dhe fillimit të zbatimit. Pra praktikisht Vettingu ka filluar për tu testuar si praktikë, që i bije se ka filluar për tu zbatuar, po testohet se si do të zbatohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".