Zbulohet plani i Cristiano Ronaldos/ Ylli portugez do të tërhiqet në Maçesteri dhe pastaj

  • S.A /
  • 04 October 2021 - 12:05
Zbulohet plani i Cristiano Ronaldos/ Ylli portugez do të tërhiqet në Maçesteri dhe pastaj

Kristiano Ronaldo dëshiron që t’i varë këpucët në gozhdë te klubi i Mançester Junajtidit. Ylli portugez ka në plan që të bëhet një trajner më pas te “Djajtë” dhe ta stërvisë të birin, Kristiano Zhuniorin. Sulmuesi 36-vjeçar firmosi një kontratë 2-vjeçare në “Old Trafford” në verë, me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon.Por si ai, ashtu edhe trajneri Solskjaer besojnë se ai do të jetë në gjendje për të luajtur në nivele të larta edhe pas të 40-ave. “The Sun” raporton se ai nuk do të ndikohet nga thirrjet e mamasë së tij për ta mbyllur karrierën me Sportingun e Lisbonës, por është i tunduar për t’u tërhequr në Mançester, klubin që ai e quan shtëpinë e tij dhe u bë kampioni që është sot. Djali i tij 11-vjeçar, sot po stërvitet tek ekipet zinxhir të “Djajve”, bashkë me të birin 10- vjeçar të Nemanja Matiçit dhe djalin e Uejn Runit.

“Ronaldo ua ka bërë të qartë të gjithëve se ai u rikthye te Junajtidi për ta ndihmuar klubin që të fitojë trofe. Por në planet e tij është që ai të luajë për ta për më shumë sesa disa vite. Ai është ende në kulmin e gjendjes fizike dhe dëshiron që të tregojë se asgjë nuk është e pamundur.

Ai është i fiksuar me futbollin dhe di gjithçka për këtë sport. Shumë lojtarë kanë nisur karrierën e tyre të trajnerit te Junajtidi, kështu që ai mendon se kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për ta nisur kapitullin e ardhshëm të jetës së tij”, zbuloi një burim brenda klubit për “The Sun”.

CR7 e ka bërë gjithnjë me dije se ai dëshiron që edhe i biri t’i ndjekë gjurmët e tij. “Do të më pëlqente që ai të bëhej futbollist sepse ai e ndjen pasionin për këtë sport. Ai është një luftëtar dhe e urren humbjen. Ai është i shpejtë dhe i motivuar, por kjo nuk do të thotë asgjë sepse duhet shumë përkushtim”, është shprehur pak kohë më parë Ronaldo.

(Kosova Sot Online )