Reja nuk e zëvendëson Hoxhallarin, Ismajli i vetmi me probleme fizike

  • A.P /
  • 06 October 2021 - 18:51
Reja nuk e zëvendëson Hoxhallarin, Ismajli i vetmi me probleme fizike

Kombëtarja Shqiptare ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kompleksin Tropikal në Durrës në kuadër të përgatitjeve për takimin e ditës së shtunë me Hungarinë. Trajneri Edoardo Reja ka vendosur që të mos ftojë asnjë futbollist tjetër pas largimit të Erjon Hoxhallarit, i prekur nga COVID-19, duke e argumentuar vendimin e tij me faktin se pjesë e grupit janë një numër i mjaftueshëm mbrojtësish.

Ardian Ismajli është i vetmi futbollist i cili ka shfaqur probleme fizike dhe nuk është ende në 100% të formës së tij, megjithatë stafi teknik dhe ai mjekësor do të vlerësojnë gjendjen e 25-vjeçarit në ditët e ardhshme për të vendosur për aktivizimin e tij. Seanca stërvitore e kësaj të mërkure zgjati afër 80 minuta.

Skuadra kuqezi do të zhvillojë të enjten seancën e fundit stërvitore në Durrës, për t’u nisur ditën e premte drejt Hungarisë, ku do t’u japë fund përgatitjeve në “Puskas Arena”, stadium ku do të luhet ndeshja për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Shqipëria ndodhet në Grupin I, ku pas gjashtë ndeshjeve të para ka grumbulluar 12 pikë, duke u renditur në vendin e dytë, pas Anglisë kryesuese. Pas ndeshjes me Hungarinë, Shqipëria do të ndeshet me Poloninë, në “Air Albania”, në datën 12 tetor. 

(Kosova Sot Online)