Kosova e zhvillon stërvitjen e parë pas humbjes kundër Suedisë dhe para takimit me Gjeorgjinë

  • A.P /
  • 10 October 2021 - 19:52
Kosova e zhvillon stërvitjen e parë pas humbjes kundër Suedisë dhe para takimit me Gjeorgjinë

Kombëtarja e Kosovës u rikthye në stërvitje të dielën në Prishtinë, një ditë pas humbjes kundër Suedisë në udhëtim dhe në prag të ndeshjes me Gjeorgjinë, në kualifikueset për Kupën e Botës 2022.

Kosova e pësoi një disfatë tjetër të thellë 3:0 kundër Suedisë të shtunën në Stokholm, e cila ishte e katërta në kualifikime për Botërorin Katari 2022.

Trajneri Bernard Challandes e nxori ekipin në stërvitje të dielën për t’u përgatitur për ndeshjen e parafundit në Grupin B, kundër Gjeorgjisë të martën në Prishtinë.

Dardanët u stërvitën në Hajvali nën reshjet e shiut. Në ushtrime morën pjesën vetëm futbollistët që nuk luajtën dhe ata që luajtën si zëvendësues në ndeshjen e së shtunës. Ndërsa, pjesa tjetër e futbollistëve ka bërë rigjenerim me ushtrime fitnesi në hotelin ku po qëndron ekipin kombëtar.

Kosova i humbi gjasat kohë më parë për kualifikim në një turne të madh për herë në historinë e vet dhe tani renditet e parafundit në Grupin B me vetëm katër pikë. Grupit i prin Spanja me 13 pikë dhe Suedia me 12 pikë.

Ishte një tjetër paraqitje zhgënjyese e skuadrës së Challandes të shtunën, pasi verdhekaltrit nuk arritën asnjëherë të bëjnë lojë apo të krijojnë raste shënimit, derisa bënë gabime trashanike individuale.

Kosova do ta mbyllë një tjetër fushatë zhgënjyese në kualifikime për Botëror muajin e ardhshëm si mysafire e Greqisë. 

(Kosova Sot Online)