Ja kush pritet ta humb sezonin dhe Kupën e Botës

  • A.P /
  • 15 April 2026 - 11:30
Ja kush pritet ta humb sezonin dhe Kupën e Botës

Hugo Ekitike ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve mes Liverpoolit dhe Paris Saint-Germainit.

Ylli i ri i “The Reds”, i cili u transferua në “Anfield” nga Eintracht Frankfurt verën e kaluar për 95 milionë euro, u lëndua teksa po sprintonte në pjesën e parë pa kontakt me kundërshtarët dhe u detyrua të largohej nga fusha me barrelë pas një trajtimi të gjatë.

Ka indikacione të forta se ai ka këputur tendinën e Akilit, shkruan “GOAL”.

Sipas “Cambridge University Hospitals”, rikuperimi nga një lëndim i tillë zgjatë nga 4 deri në 12 muaj për sportistët. Për rikthim në aktivitet e përditshme/ecje normale, rikuperimi mund të shkojë nga 3 deri në 6 muaj.

Mirëpo, faza fillestare e shërimit kërkon 6–8 javë imobilizim në allçi ose në një çizme mbrojtëse.

Në minutën e 28-të, Ekitike u përpoq të arrinte një top të dërguar përpara nga Dominik Szoboszlai, bëri një hap, rrëshqiti lehtë dhe u rrëzua në tokë. Ai menjëherë kapi thembrën dhe tundte kokën në mënyrë të përsëritur gjatë trajtimit.

Ndërsa stafi mjekësor hyri me shpejtësi në fushë, lojtarët kundërshtarë Achraf Hakimi dhe Willian Pacho i qëndruan pranë duke e mbajtur për dore sulmuesin e dëmtuar.

(Kosova Sot Online)