Trajneri i Milanit e pranon: Porto ishte më e mirë se ne

  • S.A /
  • 20 October 2021 - 09:40
Trajneri i Milanit e pranon: Porto ishte më e mirë se ne

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, e ka pranuar se skuadra e tij luajti dobët dhe se Porto ishte shumë më e mirë se ajo dhe e meritoi fitoren 1:0 të martën në Ligën e Kampionëve.

Luis Diaz e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Porton në Estadio do Dragao, duke ua shkaktuar humbjen e tretë radhazi kuqezinjve.

Milani është pa pikë pas tri ndeshjeve të para dhe tani më shumë pak gjasa për ta kaluar grupin në pjesëmarrjen e parë në Ligën e Kampionëve në shtatë vitet e fundit.

“Paraqitja jonë nuk ishte e mirë sot. Kundërshtari ynë luajti më mirë, ishte më i mprehtë, më i saktë dhe kishte më shumë intensitet”, tha Pioli pas ndeshjes.

Ai shtoi: “Ne nuk e nisëm ndeshjen mirë, nuk e mbajtëm topin dhe nuk krijuan mjaftueshëm mundësi shënimi. Porto luajti më mirë se ne”.

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Liverpooli e mundi 3:2 Atletico Madridin në një ndeshje dramatike.

Liverpooli është lider tani me 9 pikë, Atletico dhe Porto kanë nga katër pikë, ndërsa Milani i fundit pa pikë.

(Kosova Sot Online )