Ranieri i akuzon lojtarët e Arsenalit për mungesë respekti

  • S.A /
  • 08 November 2021 - 10:14
Ranieri i akuzon lojtarët e Arsenalit për mungesë respekti

Trajneri i Watfordit, Claudio Ranieri, i ka akuzuar lojtarët e Arsenalit për mungesë respekti, pas humbjes së skuadrës së tij 1:0 kundër topçinjve të dielën.

Arsenali i fitoi tri pikë të reja në Premierligë falë një goli në pjesën e dytë nga Emile Smith Rowe. Por Ranieri ndien se Arsenali e shënoi golin vendimtar për shkak të një sjelljeje josportive, pasi skuadra e tij e kishte nxjerrë topin jashtë fushës së lojës për t’ia mundësuar të lënduarit Ozan Tufan të mjekohej.

Watfordi priti që topi do t’i kthehej pas rifillimit të ndeshjes, por Arsenali s’e bëri dhe shënoi gol menjëherë, duke e zhgënjyer Ranierin.

Ai iu ankua trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta, pas ndeshjes dhe e kritikoi skuadrën vendase në konferencë për media.

“Ne e nxorëm topin jashtë dhe të gjithë pritën se Arsenali do të na e kthente topin”, tha Ranieri pas ndeshjes.

“Sissoko dhe Rose thanë: ‘na e ktheni topin, ne e nxorëm jashtë, sepse një lojtar ishte i lënduar’. Pas kësaj ndodhi çudia. Kiko Femenia e goditi topin me kokë pas një harkimi, Sarr e fitoi topin, sipas mendimit tim ishte faull i madh, por asgjë nuk ndodhi dhe ata shënuan gol pastaj. Ishte shumë, shumë e çuditshme”, theksoi Ranieri.

Ranieri shtoi: “Marrëdhëniet tona (Ranieri dhe Arteta) janë shumë të mira. I thashë atij se nuk treguam respekt kur e nxorëm topin jashtë.”

Falë këtij triumfi, i treti radhazi, Arsenali tani ngrihet në vendin e pestë me 20 pikë, gjashtë më pak se lideri Chelsea dhe tri më shumë se Manchester Unitedi në vendin e gjashtë.

(Kosova Sot Online )