Shqipëri e improvizuar, fitorja ndaj Andorrës për vendin e tretë dhe rekordin historik

  • S.A /
  • 15 November 2021 - 11:05
Shqipëri e improvizuar, fitorja ndaj Andorrës për vendin e tretë dhe rekordin historik

Me shumë mungesa, me një stadium të boshatisur dhe pas një humbjeje të papritur, Shqipëria do të kërkojë ta mbyllë me fitore edicionin e këtyre kualifikueseve të kampionatit botëror.

Në “Air Albana” do të zbarkojë Andorra, një kundërshtare që në letër konsiderohet inferiore dhe që fitoren kuqezinjtë mund ta konsiderojnë një lloj autokritike, pas disfatës 5:0 në Wembley.

Trajneri Reja duhet t’i bëjë llogaritë pa shumë titullarë, të cilët për shkak dëmtimi dhe kartonësh nuk do të jenë të disponueshëm. Nga minuta e parë në portë pritet që të luajë sërish Strakosha, i cili do të ketë para tij në mbrojtjen me tre një repart të improvizuar.

Pa Kumbullën, Gjimshitin, Ismajlin dhe Veselin, trajneri italian pritet që t’u besojë Mihajt, Dermakut dhe Hoxhallarit. Nga krahët, Hysaj shihet si i pazëvendësueshëm, ndërsa në krahun tjetër Lenjani është favorit për të marrë një fanellë titullari.

Ramadani dhe Laçi me shumë mundësi të jenë muskujt e mesit të fushës, ndërsa Bajrami me shumë gjasa do të ketë për detyrë të jetë “truri” i skuadrës në këtë përballje, duke marrë për të dytën ndeshje radhazi besimin për ta nisur si titullar.

Në sulm, sikur të mos mjaftonte Broja i dëmtuar apo Cikalleshi i pezulluar, edhe Bekim Balaj nuk është stërvitur në seancën e fundit. Në të tilla rrethana pritet të luajnë nga minuta e parë Uzuni dhe Seferi, me sulmuesin e Tiranës që është bashkuar në orët e fundit me skuadrën përfaqësuese. 

Me një ekip të ndryshuar në pjesën më të madhe Shqipëria kërkon një fitore që duhet për të ruajtur vendin e tretë në grup dhe për arritur kuotën rekord të 18 pikëve.

Image

(Kosova Sot Online )