Elmas shkëlqen me dy golësh, kualifikon Napolin në fazën 1/16 të Europa Ligës

  • A.P /
  • 09 December 2021 - 20:52
Elmas shkëlqen me dy golësh, kualifikon Napolin në fazën 1/16 të Europa Ligës

Napoli e ka kryer detyrën kundër Leicester City sonte në stadiumin “Diego Armando Maradona”, duke u kualifikuar në rrethin e 1/16 të finales së Europa Ligës. Shqiptari që përfaqëson Maqedoninë Veriore, Elijf Elmas shënoi dy golësh për Napolin (24, 53) kurse golin tjetër e shënoi Ounas (4). Për Leicester shënuan Jonny Evan (27) dhe Dewsbury-Hall (33)

Shqiptari Elijf Elmas ka qenë kreator i fitores dramatike të Napolit në stadiumin “Diego Armando Maradona” sonte.

Ishte një ndeshje me plot gola dhe kthesa interesante që nga fillimi i saj.

Qysh në start ishte Napoli që shënoi në minutën e katër. Një gabim në mesfushë i Leicester bëri që të përfitoi mesfusha e Napolit dhe pas një pasimi të devijuar topi shkon të Ounas, i cili shënon një gol interesant për epërsinë e vendasve për herë të parë.

Ndeshja vazhdoi me një ritëm më të mirë për Napolin.

Ky posedim dhe aksionet bën që ata ta dyfishojnë epërsinë në 2-0.

Goli i dytë u shënua nga Elmas pasi që ky mori një top të mirë nga Petagna në minutën e 24-të.

Pas golit të dytë Leicester do të reagonte dhe erdhi të goli i parë në këtë ndeshje në minutën e 27.

Jonny Evans do të shënonte për Leicester pasi një hutie në mbrojtjen e Napolit për ta zbutur rezultatin.

Leicester do të vazhdonte të bënte presion dhe do të arrinte që në minutën e 33-të ta barazonte rezultatin me anë të Dewsbury-Hall.

Napoli hyri më i kujdesshëm në pjesën e dytë dhe filloi të bënte më shumë presion në drejtim të portës kundërshtare.

Kështu në minutën e 53-të ishte përsëri Elmas që do të shënonte gol.

Di Lorenzo depërtoi mirë nga ana e djathtë për ta gjetur Elmas, i cili pasi dribloi Syoncu shënoi për golin e tretë që doli të jetë gol i fitores për Napolin.

Me këtë fitore Napoli kalon në fazën e 1/16 të Europa Ligë nga pozita e dytë me pikë të njëjtë si Spartak Moska, por që Spartaku e fiton grupin për shkak të rezultatit më të mirë në ndeshje direkte me Napolin.

Leicester në anën tjetër nuk do të eliminohet tërësisht nga garat e Europës pasi që ata do të luajnë në Europa Konferencë Ligë, garën e nivelit të tretë europian.

Në anën tjetër, skuadra e Lirim Kastratit nuk ka arritur ta bëjë befasinë sonte pasi që është mundur nga Spartaku me rezultat të ngushtë 0-1 për t’u eliminuar nga garat europiane.

(Kosova Sot Online)