Pique: Gjendja është rënduar, duhet të nisim t’i fitojmë ndeshjet një nga një

  • S.A /
  • 13 December 2021 - 09:35
Pique: Gjendja është rënduar, duhet të nisim t’i fitojmë ndeshjet një nga një

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, e ka pranuar se gjendja në klubin katalonas është shumë e keqe, pas një ndeshjeje tjetër ku skuadra e Xavit lëshoi pikë në barazimin 2:2 me Osasunan të dielën.

Osasuna ia doli ta barazojë dy herë rezultatin në të dy pjesët falë golave nga David Garcia dhe Chimy Avila, pasi Nico dhe Abdessamad Ezzalzouli e kishin kaluar skuadrën e Xavit në epërsi me golat e tyre të parë për katalonasit.

Barcelona vinte nga një humbje e hidhur kundër Real Betisit në ndeshjen e kaluar por dështoi të kthehej në binarët e fitores në Pamplona.

Si pasojë, Barça ngel në vendin e tetë në La Liga me 24 pikë, plot 18 pikë larg liderit dhe rivalit Real Madrid, si dhe pesë pikë larg top katërshes.

Duke folur pas ndeshjes, Pique tha: “Është shumë e nevojshme të fitojmë menjëherë sepse gjendja është e rënduar”.

“Sa keq që barazuam sepse ne luajtëm shumë mirë dhe garuam fort në një fushë të vështirë.”

Ai shtoi: “Synimi afatshkurtër është të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ai afatgjatë është se këta lojtarë të rinj do të jenë shumë të mirë për klubin. Por tani më rëndësi është të fitojmë dhe fitojmë”.

(Kosova Sot Online )