
Nga Spanja kundër Djokovicit: “Mjaft me privilegje, rregullat janë rregulla, edhe ai duhet t’i respektojë”

Tenisti serb vazhdon të jetë i izoluar në një ndërtesë karantinimi në Melbourne
Novak Djokovici nuk u lejua të futet në Australi të mërkurën, pasi autoritetet e këtij vendi thanë se ai nuk i kishte plotësuar kërkesat për Covid-19.
Menjëherë pas vendimit për t’ia ndaluar hyrjen në Australi, Djokovici u dërgua në Park Hotel, një ndërtesë karantinimi në Melbourne, pasi u mbajt në aeroportin e qytetit për nëntë orë të tëra.
Në rrugë pati protesta e reagime të shumta, po ashtu nga babai, nga presidenti i Serbisë e të tjerë.
Por, nga Spanja vijnë të tjera mesazhe, reagime kundër Djokovic sepse në realitet, Australia s’po bën asgjë kundër rregullave, në fakt është Djokovic ai që nuk i është përmbajtur rregullave të këtij vendi sa i përket COVID-19 dhe vaksinimit.
Dikur numri një në botë, Rafa Nadal, e sheh fajtor Djokovicin për krejt këtë situatë, derisa tani ka reaguar edhe gazetari i njohur, Josep Pedrerol, i cili ka thënë se të famshmit, si puna e Djokovic, duhet të mësohen me faktin se janë njësoi si ne, kur vjen puna te gjëra të tilla, sepse nëse për vendasit në Australi është e ndaluar të veprosh kundër rregullave për COVID-19, atëherë është e ndaluar edhe për VIP, s’ka aspak rëndësi se kush je.
“Shumë sportistë jetojnë një jetë luksi, kanë fatin të luajnë apo bëjnë atë që u pëlqen dhe të fitojnë shumë. Nënshkruajnë shumë autografe, adhurohen nga shumë fansa, por nuk duhet të harrojnë se janë si ti dhe si unë, me të drejta dhe obligime. Ka rregulla në Australi për vaksina që duhet të respektohen. Mjaft me privilegje, është problemi i tij nëse nuk i pranon këto rregulla”, tha ai ndër të tjera në JUGONES.
Djokovic është nëntë herë kampion i Australian Open dhe po shpresonte se këtë vit do ta thyente rekordin për më së shumti tituj grand slam në histori, pasi ai ka 20, aq sa Roger Federer dhe Rafael Nadal.
(Kosova Sot Online)