Chiellini: E kam entuziazmin e një fëmije

  • S.A /
  • 24 January 2022 - 10:06
Chiellini: E kam entuziazmin e një fëmije

Mbrojtësi veteran Giorgio Chiellini ka thënë se e ndien entuziazmin e një fëmijë, pas barazimit pa gola të Juventusit me Milanin të dielën. Ishte një barazim pa gola në San Siro, i cili nuk i kreu punë asnjërës skuadër, pasi Milani tani ngel katër pikë mbrapa liderit dhe rivalit Inter dhe e lejoi Napolin ta zërë me pikë në vendin e dytë. Ndërkohë, Juventusi mbetet një pikë mbrapa vendit të katërt, Atalanta, e cila e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Duke folur pas ndeshjes, Chiellini, 37-vjeçar, tha se gjithmonë përpiqet të mendojë pozitivisht. “Unë gjithmonë mendoj pozitivisht. Natyrisht, do të doja të kishim fituar, por ishte një ndeshje e baraspeshuar. Të dy ekipet tentuan. Juventusi është përmirësuar nga fillimi i sezonit dhe tani jemi më solid”, tha Chiellini. “Unë e kam entuziazmin e një fëmije dhe më duhet ta shijoj këtë. Kjo mund të jetë ndeshja ime e fundit në San Siro apo e fundit në përgjithësi, duhet ta shijoj çdo ditë si kjo në moshën time”, nënvizoi ai. 

(Kosova Sot Online )