Southampton fiton në Londër kundër Tottenhamit

  • A.P /
  • 09 February 2022 - 22:56
Southampton fiton në Londër kundër Tottenhamit

Southampton ka bërë një rikthim të mahnitshëm sonte kundër Tottenhamit në Londër. Skuadra ku luan Armando Broja ka fituar me rezultat 2-3. Bednarek (autogol 18), Heung min-Son (70) shënuan për Spurs kurse për Southampton: Armando Broja (23), Elyounoussi (79) dhe Che Adams (82) 

Southampton ka bërë befasinë në natën e sotme duke e mposhtur Tottenhamin e Antionio Contes me rezultat 2-3 në Tottenham Hotspurs Stadium në Londër.

Spurs e nisi më mirë këtë ndeshje dhe shënoi gol në minutën e 13 me Romero por që u anulua për shkak të pozitës jashtëloje.

Reguilon përsëri sulmoi në minutën e 16 por portieri Forster ishte në vendin e duhur duke ia mohuar atij golin.

Por goli i parë në këtë ndeshje do të ishte autogol. Jan Bednarek nuk arriti që ta bllokojë një top duke e dërguar atë në rrjetën e portës së vet në minutën e 18.

Southampton do të reagonte në minutën e 23. Romain Perraud bëri një pasim për Armando Brojën i cili shënoi një gol të bukur me të parën duke barazuar kështu rezultatin.

1-1 përfundoi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Spurs vazhdonte ta kërkonte golin e epërsisë dhe e gjënë atë në minutën e 70-të me anë të Heung min-Son.

Moura do të bënte një pasim për jugkoreanin i cili shënon golin e dytë.

Por, këtu nuk kishte përfunduar loja për Southampton.

Fillimisht rezultatin do ta barazonte Mohamed Elyounoussi në minutën e 79-të pasi u asistua nga James Ward-Prowse.

Che Adams do ta përmbyste Tottenhamin në minutën e 82-të duke shënuar kështu golin e tretë dhe të fitores për Tottenhamin.

Për një moment u mendua që Spurs barazuan rezultatin, pasi që Bergwijn shënoi në minutën e tretë shtesë të ndeshjes. Por, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Kjo humbje e lënë Tottenhamin në vendin e 7 të Premier Ligës me 36 pikë kurse Southampton është në vendin e 10 me 28 pikë. 


(Kosova Sot Online)