Van Dijk: Interi na bëri të vuajmë

  • S.A /
  • 17 February 2022 - 09:48
Van Dijk: Interi na bëri të vuajmë

Virgil van Dijk e ka pranuar se Liverpoolit iu desh të vuajë shumë për të fituar 2:0 kundër Interit në Giuseppe Meazza, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Interi e kishte mbizotëruar Liverpoolin shumicën e kohës dhe e goditi shtyllën përmes Hakan Calhanoglut në pjesën e parë, derisa një gol i Edin Dzekos u anulua për pozitë jashtë loje. Megjithatë, të kuqtë u mbajtën mirë dhe e korrën fitoren në fund, falë golave nga zëvendësuesi Roberto Firmino dhe Mohamed Salah.

Mbrojtësi holandez, i cili ishte ndër më të mirën në fushë, e lartësoi skuadrën e Interit për lojën e treguar.

“Ky është vend i vështirë ta vizitosh, një ekip shumë i mirë, vështirë ta thyesh dhe e shijova shumë atmosferën dhe tifozët”, tha Van Dijk pas ndeshjes.

Ai shtoi: “Të gjithë presin të jesh nën trysni. Kjo është Liga e Kampionëve. Mesazhi para ndeshjes ishte, duhet të jesh gati për të vuajtur dhe të punosh fort. Ishte një paraqitje shumë e mirë, pa pranuar gol dhe të lumtur”.

Liverpooli do ta presë Interin në Anfield për ndeshjen e kthimit muajin e ardhshëm, dhe i mjafton ta ruajë epërsinë prej dy golave për të kaluar në çerekfinale. 

(Kosova Sot Online )