Bandat e krimit të organizuar në Kosovë janë në lidhje të ngushtë me rrjetet mafioze!

Bandat e krimit të organizuar në Kosovë janë në lidhje të ngushtë me rrjetet mafioze!

Gani Qarri

  • 17 February 2022 - 07:47

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Organizata serioze dhe të besueshme, të cilat hartojnë raporte të hollësishme analitike dhe dalin me konstatime të dokumentuara me fakte dhe akte autentike, se si Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të jenë vendet që u shkaktojnë preokupimin më serioz Bashkimit Evropian dhe vete Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mungesën e vullnetit dhe paaftësitë e tyre për ta luftuar seriozisht krimin e organizuar, sidomos atë të trafikut të drogës, narkotikëve, prostitucionit dhe trafikimit me qenie njerëzore.

Duke ju referuar raportit më të ri të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lëndëve narkotike, mjerisht në te thuhet se Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten vende jo vetëm transit, të drogës dhe lëndëve narkotike, por edhe burimi kryesor i prodhimit të marihuanës, si dhe një depo klasike, për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane. Madje fatkeqësisht kur është në pyetje përfitimi dhe interesi i madh financiar, është dëshmuar se mafia kosovare dhe ajo shqiptare, bashkëpunojnë ngushtë edhe me mafien serbe dhe atë rajonale, ndaj jo rastësisht organizatat më serioze ndërkombëtare që merren më çështjen e sigurisë konstatojnë me argumente, se mafia politike në Kosovë dhe në Shqipëri, janë model i mafies më të fuqishme rajonale e ndërkombëtare.

Përveç DASH, “Observatoir Géopolitique Criminalite International” në raportin e fundit flet publikisht për implikimin edhe të klasës së lartë politike shqiptare në krimin e organizuar dhe veprimtari të përbashkët kriminale, e lidhur edhe me anëtaret serb të ish grupit famëkeq të Arkanit si dhe mafien aktuale serbe, që vepron në Serbi dhe botën mbarë. Prandaj nuk janë më vetëm përplasjet dhe akuzat e karakterit politik, ato që e zbulojnë aktorët dhe grupet e krimit të organizuar, por fuqia vepruese e organizative të rrjeteve kriminale e mafioze në Shqipëri dhe Kosovë, dëshmohen në raportet e organizatave më kredibile ndërkombëtare, që publikohen në baza vjetore.

Dhe ajo që duhet ti shqetësoj fort, pikësëpari vet shqiptarët, ngase të parët që rrezikohen janë fëmijët dhe të rinjtë tanë, më shumë se BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është fakti se mafia shqiptare në të dy anët e kufirit, vazhdon të veprojë gati tërësisht e papenguar, duke bartur e transportuar, pothuajse lirisht drogë e narkotik, sikur ato të ishin mallra të konsumit të gjerë, andej e këndej kufirit, ndërsa sasia e drogës dhe narkotikëve, në duart e klaneve mafioze, sa vije e rritet, duke u bërë pengesa kryesore edhe për integrimin e të dy vendeve tona në BE.

Bashkëpunimi i ngushtë, bashkëveprimi dhe koordinimi i menaxhimit të drogës, narkotikëve, prostitucionit, parasë së pistë dhe krimit të organizuar nga rrjetet mafioze në Shqipëri dhe klanet e krimit të organizuar në Kosovë, e kanë shndërruar Prishtinën në degën kryesore të mafies shqiptare me qendër në Tiranë. Prandaj ky mund të jet edhe shkaku, që edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për luftën kundër lëndëve narkotike, thuhet se Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten burimi kryesor për prodhimin e marihuanës dhe janë shndërruar në depon kryesore, për dërgesat e kokainës dhe heroinës në tregjet evropiane.

Për aq më keq, në raportet e fundit të organizatave serioze evropiane e botërore, flitet publikisht, për implikimin e drejtpërdrejtë të vet klasës së lartë politike shqiptare, në krimin e organizuar dhe veprimtarinë e ndaluar të grupeve mafioze e kriminale. Kështu që, krimi i organizuar shqiptar në vitet e fundit, shfaqet si një nga kërcënimet kryesore për vendet e BE-së dhe me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë për përballimin e kësaj të keqeje, është treguar shumë e vështirë që të ballafaqohet lehtë me një strukturë të tillë, kaq të organizuar kriminale, e cila është shtresuar dhe sistemuar për dy dekada rresht, në realitetin e Kosovës dhe atë shqiptar. Mjerisht në të gjitha raportet dhe analizat e përpunuara me kujdes, në bashkëpunim edhe me politikën vendore, Kosova cilësohet si ekspozitura e mafies së të gjitha llojeve të trafiqeve kriminale të “huazuar” nga Shqipëria.

Ndërsa në një raporti sekret të hartuar nga policia greke, me të dhënat e saj dhe të EUROPOL-it, veprimtaria kryesore e keqbërësve shqiptarë në të ashtuquajturin kriminalitet të rëndë, është trafikimi i drogës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë, si vende fqinje e Shqipërisë. Vetëm prej janarit të vitit 2016, më shumë se 15.5 tonë hashash janë sekuestruar, në territorin grek, ndërsa ajo që vlen të theksohet me këtë rast, është fakti se 6.8 tonë narkotik, janë konfiskuar vetëm në 6 muajt e fundit. Përveç këtyre shqetësimeve të njëpasnjëshme, gjendjen në Kosovë e rëndojnë edhe më tepër jo vetëm aferat e mëdha me EUELEX-in, por edhe vjedhjet në dhomat e dëshmive në polici, të pa zbardhura asnjëherë, si dhe dështimi përmbi dy dekada i zbulimit të mijëra vrasjeve politike e kriminale në Kosovë.

Të gjitha këto vërtetojnë kulmin e kapjes së shtetit nga mafia dhe krimi i organizuar, veprimtaria e kundërligjshme e të cilave, që nga reketët, haraçi, droga dhe prostitucioni në Kosovë e Shqipëri nëse nuk u dilet përpara dhe thuhet përfundimisht ndal veprimtarive kriminale, në të dy shtetet tona nga më të voglat në rajon, Shqipëria dhe Kosova, përfundimisht po marrin epitetin e një Kolumbie evropiane. Ndërsa duke pasur parasysh grumbullimin e madh të problemeve kaq të rënda e komplekse, parandalimi i gjithë kësaj, do të jetë një mision shumë i vështirë për Qeverinë Kurti, e cila edhe nëse arrin ta qojë mandatin qeverisës deri në fund, vetëm me një VETTING të mirëfilltë në drejtësi, riorganizimin e njëmendtë të policisë e AKI-së, si dhe të të gjitha strukturave antikrim, ndoshta do të arrijë ta kanalizojë dhe orientojë si duhet luftën antikrim, për tu përballur suksesshëm dhe neutralizuar rrjetet e bandave kriminale të paktën në Kosovë.

Kjo për vet faktin se, veprimtaria kriminale e mafies kosovare, po dëshmohet të ketë rrjet të fortë dhe shtrirje të gjerë në të gjitha institucionet, entet dhe sektorët, ndërsa dëshmitë ndërkombëtare tregojnë se mafia kosovare, është shndërruar në konkurrente dhe rivale në kontrollin e trafikut të drogës, duke shkuar hapave të mafies nga Shqipëria, që cilësohet si mafia liderë në Evropë. Kurse se sa alarmante dhe e rrezikshme është gjendja nga trafiqet e drogës e narkotikëve në rajon, flasin më së miri dhjetëra raste të zbulimit dhe konfiskimit në masë të madhe të drogave edhe në Kosovë, qofshin ato që kalojnë transit apo edhe të deponuara në disa pika,në vendin tonë. Vet këto raste flasin, më tepër se mjaftueshëm për Qeverinë Kurti dhe institucionet e sigurisë e të drejtësisë për veprim 24 orësh në luftimin permanent, hetimin, zbulimin dhe parandalimin e këtyre trafiqeve dhe krimit të organizuar, sepse grupet mafioze me drogë e narkotik, jo vetëm që Shqipërinë dhe Kosovën, së shpejti mund ti shndërrojnë në “Kolumbi” të Evropës, por edhe të kthehen në kancer të pa shërueshëm, pikësëpari për vet shqiptarët, t`ua vrasin të ardhmen fëmijëve dhe të rinjve tanë, si dhe të bëhen pengesë e patejkalueshme e perspektivës dhe integrimit evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".