Mike Tyson befason të gjithë: Vdekja e nënës është gjëja më e mirë që më ka ndodhur

  • S.A /
  • 22 February 2022 - 09:53
Mike Tyson befason të gjithë: Vdekja e nënës është gjëja më e mirë që më ka ndodhur

Para se të bëhej kampioni më i ri i botës në peshën e rëndë në histori, Mike Tyson kishte një fëmijëri të trazuar. Edhe pse nëna e tij nuk arriti ta shihte shkëlqimin e tij si boksier, Tyson së fundmi bëri një deklaratë që shokoi fansat. “Iron Mike” e konsideroi vdekjen e nënës së tij si ngjarjen më të mirë të jetës së tij. Por më pas ai i justifikoi pretendimet e tij me disa shpjegime të çuditshme. Në një intervistë për ShayShay Club, Tyson foli për disa ngjarje në jetën e tij. Mirëpo, kur ka folur për nënën e tij, ish-kampioni i botës ka mahnitur teleshikuesit.

“E dini, një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur ndonjëherë është që nëna ime vdiq. Përndryshe, nuk do të kishte gjasa që të hyja ndonjëherë në një sherr në rrugë. Nuk do të mësoja kurrë të ngrihesha në këmbë për veten time”, tha Tyson.

Nëna e Tyson, Lorna Tyson, vdiq për shkak të kancerit në vitin 1982, tre vjet para se ‘Iron Mike’ të bëhej një boksier profesionist.

Tyson humbi nënën e tij kur ishte vetëm 16 vjeç. Edhe pse ka treguar gjithmonë dashurinë dhe respektin për të, ish-boksieri e ka quajtur edhe në të kaluarën “agresive”.

“Ajo ishte e dashur, por ishte disi agresive”, tha ai në një nga episodet e HotBoxin. 

(Kosova Sot Online )