Bashkëpronari i Inter Miamit i bën të ëndërrojnë tifozët e klubit për Messin

  • S.A /
  • 28 February 2022 - 10:45
Bashkëpronari i Inter Miamit i bën të ëndërrojnë tifozët e klubit për Messin

Bashkëpronari i klubit të Inter Miamit, Jorge Mas, e ka pranuar se do ta tentojë transferimin e Lionel Messit. Mas e ka lavdëruar argjentinasin duke thënë se ai ende është një prej lojtarëve më të mirë në botë. “Leo Messi është ende një nga lojtarët më të mirë në botë, aftësitë e tij nuk janë dobësuar”, tha fillimisht ai. Tutje, Mas theksoi se klubi amerikan dëshiron që shtatë herë fituesin e “Topit të Artë” ta kenë në skuadër, duke përmendur këtu legjendën angleze, David Beckham, i cili është pronari tjetër i këtij klubi.

“Nëse Messi largohet nga PSG, ne do të donim ta shihnim atë si një lojtar të Inter Miamit. Vlen të merret në konsideratë marrëdhënia e Beckhamit me të”, shtoi ai. “A mund të ndodhë kjo? Shihni, ne do të përpiqemi. Unë jam optimist në jetë. A mund ta imagjinoj diçka të tillë? Ekziston një mundësi e tillë”, tha Jorge Mas për ish-sulmuesin e Barcelonës. Kujtojmë se Lionel Messi ka kontratë të vlefshme me Paris Saint-Germainin deri më 30 qershor 2023.

(Kosova Sot Online )