Xavi: Pedri po ma kujton Iniestan, trajneri flet edhe për Dembelen

  • S.A /
  • 28 February 2022 - 09:14
Xavi: Pedri po ma kujton Iniestan, trajneri flet edhe për Dembelen

Barcelona e mbylli mbrëmë një javë të artë pas fitorve me rezultat identik 4:0, ndaj Valencias, Napolit dhe së fundmi Athletic Bilbaos. “Blaugrana” dhuruan spektakël duke e kujtuar ekipin e dikurshëm me Messin në krye.

Në fund të lojës, trajneri Xavi Hernandez u shpreh mjaft i kënaqur me lojën e shfaqur.“E bëmë një lojë të madhe. Ndjenja në mes nesh po rritet, jemi duke punuar shumë mirë në stërvitje, por duhet të qëndrojmë bujarë. Special është edhe raporti që po krijohet me tifozët”, deklaroi Xavi pas lojës. Ish-futbollisti i njohur i Barçës e ka lavdëruar super-talentin Pedri.

“Është gjithmonë ndenjë e mirë kur e sheh duke luajtur. Ma kujton Andres Iniestan. Bën që të duken të gjitha gjërat të lehta dhe e kupton mjaft mirë lojën. Kam parë shumë pak talente si i atij”, shtoi Xavi.

Edhe Ousmane Dembele e pati një natë magjike.

E për të, trajneri spanjoll nuk e di se si do të rrjedhin gjërat pas përfundimit të sezonit, kur edhe do t’i skadojë kontrata.

“Nuk më takon mua ta them këtë. Është një çështje në mes të tij dhe klubit. Është një profesionist dhe gjithmonë e kam mbrojtur. Sot e pamë Dembelen që kemi dashur gjithmonë ta shihnim”, përfundoi Xavi.

Golat për Barcelonën i realizuan Pierre-Emerick Aubameyang, Ousmane Dembele, Luuk De Jong e Memphis Depay.

(Kosova Sot Online )