Java e 23-të në Superligë nis sot, vëmendja në Klinë

  • 05 March 2022 - 09:58
Java e 23-të në Superligë nis sot, vëmendja në Klinë

Java e 23-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll hapet sot, ku në program për t’u zhvilluar janë dy ndeshje. Te ndeshja mes Dukagjinit dhe Prishtinës është vëmendja për këtë të shtunë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” të Klinës. Të dy skuadrat e lartpërmendura janë duke luftuar për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Dukagjini ndodhet në pozitën e parafundit (9) me 21 pikë, pesë më pak se Prishtina e pozitës së gjashtë. Malisheva – Feronikeli është ndeshja tjetër që do të zhvillohet gjithashtu sot, në stadiumin “Liman Gegaj”.

Nikoqirët pritet të marrin tre pikë nga kjo përballje, pasi dihet që “Nikli” po paraqitet me futbollistë të rinj. Pikët e plota do të ishin të mirë se ardhura për Malishevën, pasi që edhe kjo skuadër është në garë për të qëndruar në Superligë. Malisheva renditet e shtata me 23 pikë, teksa Feronikeli është i fundit (10) me 11 pikë. Të dy ndeshjet e ditës së sotme nisin në ora 13:00. 

(Kosova Sot Online )