Agim Ademi lirohet në procedurë të rregullt

  • E.K /
  • 17 March 2022 - 14:05
Agim Ademi lirohet në procedurë të rregullt

Agim Ademi është liruar nga paraburgimi.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës, e cila e konfirmoi këtë lajm përmes raportit 24 orësh.

Por,  media mëson se Ademi është liruar para pak çastesh, edhe pse ishte paraparë që ai të qëndronte në mbajtje për 48 orë.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj për “Express”.

“I njëjti pasi është intervistuar nga ana e prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të trajtohet”, ka deklaruar ajo.

Kreu i futbollit kosovar u arrestua për shkak të sulmit fizik që e bëri dje gjatë ditës ndaj zyrtarit të FFK-së, Artan Govori, i cili e kishte raportuar në polici rastin.

Sidoqoftë, Ademi tash është i lirë, edhe pse nuk ka mbyllur punë me gjykatë pasi vazhdon të mbetet në procedurë të rregullt.

Ai është duke e kërkuar një tjetër mandat katërvjeçar në krye të shtëpisë së futbollit kosovar.

Për kundërkandidat do ta ketë të birin e legjendës Fadil Vokrri, Gramozin, i cili dje i deponoi nënshkrimet në selinë e FFK-së, duke e konfirmuar kandidaturën. 

(Kosova Sot Online)