Trajneri serb: Loja me Kosovën më la pa punë, në Mal të Zi më shikuan si tradhtar e në Serbi si hero

  • S.A /
  • 22 March 2022 - 10:47
Trajneri serb: Loja me Kosovën më la pa punë, në Mal të Zi më shikuan si tradhtar e në Serbi si hero

Ljubisa Tumbakovic është rikthyer prapa në kohë, duke e kujtuar momentin kur e udhëhiqte Kombëtaren e Malit të Zi. Trajneri serb kishte pretenduar të tregohej patriot duke refuzuar që ta udhëhiqte kombëtaren malazeze në përballje me Kosovën në atë kohë. Vendimi i tij ishte pritur mirë në Serbi, por jo edhe në Mal të Zi. Ai thotë se ishte ndier si të ishte tradhtar kur s’kishte pranuar ta drejtonte ekipin ndaj ekipit kombëtar të Kosovës. Njëjtë kishin vepruar edhe futbollistët serbë që e përfaqësonin ekipin malazez, Mirko Ivanic e Filip Stojkovic. “Unë u largova nga Mali i Zi në mënyrë shumë të shëmtuar. U largova si dikush që e tradhtoi dikë, thuase kam bërë diçka të keqe, ndërsa erdha në Serbi si dikush që është patriot apo nacionalist. Ky është thelbi i tregimit”, thotë fillimisht trajneri serb në intervistë për mediumin “Kurir”.Pra, Kosova i kushtoi atij me humbje të vendit të punës.

“Unë pata shkuar në Mal të Zi me ftesë të Dejan Savicevicit për të qenë përzgjedhës. Kam dashur që aty ta zhvilloj karrierën time. Mendova se ishte vendi ideal pasi e pata një eksperiencë fantastike me njerëzit që më pritën mirë. Kemi bërë rezultate të mira. Por, më pas erdhi loja me Kosovën dhe e vetmja logjikë në atë kohë ishte që të shprehej pjesa patriotike. Të paktën kështu mendoja unë në atë kohë, ishte e logjikshme kjo”, shton Tumbakovic, i cili u largua nga Mali i Zi pa thënë lamtumirë pasi lojtarët ia kishin marrë inatin.

“Unë isha duke e përgatitur ekipin për atë lojë. Por, po ta udhëhiqja Malin e Zi në atë ndeshje, pyetja është se si do të kthehesha në Serbi!? Lojtarët më kishin inat dhe unë u largova praktikisht pa thënë lamtumirë dhe për këtë më vjen keq. Unë vuaj sepse po të mos ishte ajo lojë (me Kosovën) do të isha sërish trajner i Malit të Zi. Kjo është jeta”, përfundoi ai.

Tutje, si shpërblim, atë e ftoi Federata Serbe e Futbollit për t’u bërë selektor i këtij vendi.

Por, aty nuk i shkuan punët mirë dhe u largua nga bankina e Kombëtares serbe. 

(Kosova Sot Online )