Futbollisti ukrainas: Babai im po mban armë, shpreson që të mos i duhet ta përdorë atë

  • S.A /
  • 05 April 2022 - 14:51
Futbollisti ukrainas: Babai im po mban armë, shpreson që të mos i duhet ta përdorë atë

Viktor Kovalenko ka folur për luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Futbollisti i Spezias ndihet i shqetësuar për bashkëkombësit e tij, ndërsa e kishte të pamundur t’i merrte prindërit në Itali. “Tash do të ishte e pamundur t’i transferoj ata këtu, shumë e rrezikshme. Në atë zonë, nëse shohin duke kaluar një makinë, rusët qëllojnë. Nuk ka rëndësi nëse janë civilë, gra apo fëmijë. Për të dalë nga Kherson duhet t’i kalosh tre postblloqe. Por, është edhe një aspekt që duhet të konsiderohet: prindërit e mi nuk do të pranonin kurrë të largohen. Kjo vlen edhe për shumë ukrainas”, deklaroi fillimisht Kovalenko për “La Gazzeta dello Sport”.

Ai zbulon se babai i tij po e mban një armë dhe shpreson që nuk do t’i duhet ta përdorë atë.“Nëse largohesh nga shtëpia, je i sigurt se kur të kthehesh nuk do të gjesh asgjë pasi rusët futen dhe marrin gjithçka. Pra, zgjedhja është e lehtë: qëndro aty, mbroje, jo vetëm shtëpinë tënde por edhe jetën tënde. Babai im e ka një pushkë. Ai shpreson që nuk do t’i duhet ta përdor, por për çdo rast, do ta mbronte veten dhe familjen e tij”, përfundoi futbollisti ukrainas. 

(Kosova Sot Online )