Muriqi, në mes të dashurisë për Fenerbahçen dhe madhështisë së Galatasarayt

  • A.P /
  • 13 April 2022 - 17:46
Muriqi, në mes të dashurisë për Fenerbahçen dhe madhështisë së Galatasarayt

Vedat Muriqi do të shtegtojë dy herë gjatë verës që vjen.

Futbollisti kosovar është në pronësi të Lazios, por i huazuar në Mallorca.

Së fundmi u raportua se klubi spanjoll nuk do ta blejë kartonin e futbollistit, i cili është vlerësuar 12 milionë nga klubi italian

Dhe, edhe pse i ka realizuar tre gola në 11 paraqitje me ekipin ishullor spanjoll, prizrenasi megjithatë nuk ka bindur sa duhet për të mbetur më gjatë në Mallorca.

Si rezultat, ish-futbollisti i Rizesporit do të rikthehet në Itali gjatë verës.

Por, as klubi i tij – Lazio, s’është i interesuar ta mbajë në ekip sulmuesin shtatlartë, pasi ai nuk bindi me kualitetet e tij gjatë një viti e gjysmë sa qëndroi në Romë.

E pas kësaj, Muriqit i duhet të shtegtojë përsëri, sipas të gjitha gjasave në Turqi.

27 vjeçari në fakt do të rikthehet në Superligën turke, aty ku e arriti kulmin e karrierës.

Mbetet të shihet nëse përfaqësuesi kosovar do ta zgjedh klubin e dashurisë – Fenerbahçen, ku ka kujtime të pashlyeshme, apo madhështinë e një gjiganti si Galatasaray, i cili po ashtu është i interesuar për të

E vetmja gjë e sigurt duket se do të jetë se nga sezoni i ardhshëm do ta shohim Muriqin duke luajtur në Stamboll.

Edhe vetë futbollisti ka thënë se një ditë do t’i pëlqente të rikthehet në Turqi, aty ku ndihet si në shtëpi. 

(Kosova Sot Online)