Mallorca e ndërron mendjen për Muriqin

  • S.A /
  • 28 April 2022 - 12:35
Mallorca e ndërron mendjen për Muriqin

Mallorca kishte vendosur javë më parë që të mos e shfrytëzojë mundësinë e blerjes së kartonit të Vedat Muriqit. Kjo pasi futbollisti kosovar nuk kishte shënuar gol në gjashtë ndeshje. Dhe, mediat spanjolle raportonin se prizrenasi do të rikthehet gjatë verës në Lazio, e cila e mban kartonin e lojtarit. Por, në ndeshjet e fundit 28 vjeçari ishte protagonist tek ekipi ishullor, të cilin po mundohet ta shpëtojë pa rënë nga liga.

Siç raporton “Okdiario”, Mallorca është mjaft e kënaqur me Muriqin në huazimin e tij gjashtëmujor në këtë ekip.Prandaj, gjithnjë sipas mediumit spanjoll, klubi i La Ligas po e shikon mundësinë që ta blejë përfundimisht Muriqin.

Lazio i kërkon 12 milionë euro për “Piratin”, por Mallorca shpreson që “Biancocelesti” ta ulin çmimin dhe ta marrin më lirë Muriqin. 12 milionë euro janë shumë për klubin spanjoll, i cili po e konsideron mundësinë e propozimit të opsioneve të tjera, siç është pagesa përmes katër ratave. Por, para çdo vendimi të marrë, Mallorca fillimisht duhet ta sigurojë mbetjen në La Liga. Ky ekip aktualisht gjendet në vendin e 16-të në tabelë, dy pikë larg zonës që çon në një rang më të ulët garash, pozitë të cilën e mban Granada. Me vetëm pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, situata është “mjaft e nxehtë” në Spanjë. Në fundjavë, Mallorca do ta vizitojë Barcelonën dhe Muriqi fatkeqësisht nuk ka të drejt loje shkaku i kartonëve. Përfaqësuesi kosovar i ka realizuar katër gola dhe e ka bërë një asistim këtë edicion në La Liga. 

(Kosova Sot Online )