Otto Johnin e thërret prokurori

  • A.P /
  • 17 May 2022 - 15:18
Otto Johnin e thërret prokurori

Otto John po vazhdon të qëndrojë në paraburgim.

Sulmuesi i Prishtinës ishte arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale të “trafikimit me njerëz dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikuar”, me ç’rast i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Futbollisti afrikan do të japë deklarata para prokurorit gjatë kësaj jave.

Për këtë siguron avokati i tij, Egzonis Hajdari në një bisedë

“Na ka thirr prokurori. Do të shkojmë në Prokurori të enjten në orën 09:00 dhe Otto John do të merret në pyetje për pretendimet e Prokurorisë për veprën e caktuar. Pra, të enjten do të takohemi me Otto Johnin në Prokurori”, deklaroi fillimisht Hajdari.

Ai e shprehu një shqetësim, duke zbuluar se nuk ka marrë ende përgjigje nga Gjykata e Apelit, përkundër pritjes.

“E kemi bërë një lloj ankese ndaj vendimit për shqyrtimin e masës së paraburgimit. Edhe pse Gjykata e Apelit është dashur ta trajtojë ankesën brenda 48 orësh, ne ende nuk kemi përgjigje”, vazhdoi ai.

Por, si është gjendja fizike dhe psikike e klientit të tij?

“Kam biseduar me Otto Johnin përmes telefonit, gjendja e tij është e mirë dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ai beson se do të lirohet pasi ndihet i pafajshëm. Njëjtë besojmë edhe ne”, përfundoi avokati Hajdari.

Ditë më parë, ai e kishte kundërshtuar aktvendimin e caktimit të paraburgimit, sepse konsideronte se masa e paraburgimit që i është caktuar futbollistit është e pabazuar.

(Kosova Sot Online)