Kosova e kërkon fitoren e dytë sonte në Ligën e Kombeve

  • A.P /
  • 05 June 2022 - 09:50
Kosova e kërkon fitoren e dytë sonte në Ligën e Kombeve

Kombëtarja e Kosovës do të zbresë sërish në fushën e blertë sonte në kampanjën e re të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” e nisën mbarë këtë garë duke e fituar lojën me Qipron me rezultat 2:0, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C falë paraqitjes së shkëlqyeshme që e bënë në pjesën e dytë.

Tash, Verdhekaltrit synojnë ta regjistrojnë fitoren e dytë derisa e presin sonte Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të dy ekipet kombëtare vijnë nga fitoret në duelet e para përkatëse, ndërsa një fitore sonte do ta shkëpuste ekipin fitues në krye të tabelës

“Dardanët” kanë ushtruar këto ditë në Prishtinë dhe janë të gatshëm për sfidën me grekët, me të cilët janë përballur më së shpeshti pas pranimit në UEFA e FIFA.

Trajneri Alain Giresse nuk e ka fshehur synimin për t’i mbajtur në shtëpi të tria pikët sonte, ndërsa këtë ndeshje e ka konsideruar si mjaft të vështirë dhe një test të vërtetë.

“Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme, pasi të dyja ekipet kanë nga tre pikë. Do të përgatitemi maksimalisht. E kemi studiuar Greqinë se si kanë vuajtur ndaj Irlandës së Veriut. Ne do të tentojmë të paraqitemi në stilin dominues, njëjtë si ndaj Qipros”, ka thënë trajneri francez.

“Sot nuk do të zbulojmë se si do të paraqitemi nesër. Më rendësi është të vazhdojmë me fitore. Sipas nevojës do të bëjmë ndryshime në pozita të caktuara”, shtoi Giresse.

Ndeshja Kosovë – Greqi do të zhvillohet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Më pas, Kosova do të luajë po ashtu në Prishtinë me Irlandën e Veriut më datën 9.

Kurse, maratonën e këtij muaji do ta mbyllë me duelin ndaj Greqisë në udhëtim të dielën tjetër, përkatësisht më 12 qershor.

Vedat Muriqi me shokë do të mundohen të bëjnë paraqitje sa më të mira dhe të nxjerrin sa më shumë pikë që është e mundshme në katër ndeshjet e qershorit.


(Kosova Sot Online)