Legjenda braziliane Ronaldo po e mban premtimin, do t’i përshkojë 450 kilometra me biçikletë pas futjes së klubit të tij në La Liga

  • S.A /
  • 06 June 2022 - 09:55
Legjenda braziliane Ronaldo po e mban premtimin, do t’i përshkojë 450 kilometra me biçikletë pas futjes së klubit të tij në La Liga

Legjenda braziliane, Ronaldo është duke e mbajtur premtimin që e kishte dhënë. Njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit kishte premtuar se, nëse klubi i tij, Real Valladolid do të futej në La Liga, do ta përshkonte një rrugë prej 450 kilometrash me biçikletë. Ronaldo është pronar i 51% të aksioneve të Valladolidit nga viti 2018, ndërsa është pronar edhe në klubin brazilian, Cruzeiro. Ai e ka nisur rrugëtimin dje dhe duket i vendosur për ta çuar premtimin deri në fund.45 vjeçari tash po e mban premtimin dhe e nisi rrugëtimin nga stadiumi i Valladolidit “Jose Zorrilla” dhe do ta ndjek rrugën drejt “Camino de Santiago”, për ta përfunduar këtë aventurë në Santiago de Compostela.

“Do të jetë e bukur. E di se do të vuaj fizikisht, por do të jetë një eksperiencë e paharrueshme”, deklaroi Ronaldo në stadiumin e Valladolidit para nisjes. Ndërkohë, e ka postuar një video duke pushuar në shtrat pasi e mbylli një pjesë të rrugës. Ai do të shoqërohet nga partnerja e tij dhe nga ekipi i ekspertëve profesionistë që do ta përcjellin gjendjen e tij gjatë rrugës së gjatë. Ky trip me biçikletë vjen pasi Valladolidi përfundoi i dyti në ligën e dytë spanjolle, me ç’rast e siguroi edhe rikthimin në ligën elitare spanjolle, një vit pasi kishte rënë nga liga.“Kur ramë nga liga, e dija se do të na duhej shumë të punonim për t’u rikthyer prapë në divizionin e parë. E bëra premtimin, e bëmë një punë mjaft të mirë, posaçërisht në fillim të vitit, me të gjitha sfidat që i kishim, me krejt filozofinë që e ndryshuam”, përfundoi ish-futbollisti i PSV-së, Barcelonës, Interit, Real Madridit e Milanit.

(Kosova Sot Online )