Lazio e vendos çmimin final për Muriqin

  • S.A /
  • 07 June 2022 - 09:10
Lazio e vendos çmimin final për Muriqin

Lazio është e vendosur për ta shitur Vedat Muriqin. Sulmuesi kosovar u rikthye do të rikthehet në kryeqytetin italian pas eksperiencës prej gjysmë sezoni të kaluar në Mallorca në formë huazimi. 28 vjeçari bëri paraqitje solide me klubin spanjoll, me të cilin i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime, duke e ndihmuar ekipin ishull të mbetet në La Liga. E tash, “Biancocelesti” po planifikojnë ta sistemojnë diku përfaqësuesin kosovar, por jo më në formë huazimi. Ata duan ta shesin përfundimisht kartonin e prizrenasit, i cili ka kontratë me lazialët deri në vitin 2025. Madje, klubi italian është i gatshëm ta zbresë edhe çmimin, veç për ta shitur futbollistin që e bleu për afro 20 milionë euro nga Fenerbahçe në vitin 2020.

Sipas mediumit italian “Corriere dello Sport”, Lazio është e gatshme ta pranojë një ofertë prej 11 milionë eurosh për gjigantin e sulmit, përcjell “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, Mallorca nuk ofron më shumë se 10 milionë euro për ish-futbollistin e Rizesportit dhe të Fenerbahçes.

Klubi spanjoll e kishte mundësinë e blerjes së kartonit të lojtarit prej 12 milionë eurosh, por klubi spanjoll nuk kishte mundësi ta paguante këtë shumë.

Drejtuesit e këtij klubi e shohin si prioritet blerjen e kartonit të Muriqit.

Por, janë shumë faktorë që mund të bëjnë që negociatat të jenë komplekse dhe të gjata.

E në ndërkohë, presidenti i Lazios, Claudio Lotito nuk e ka ndërmend të presë shumë gjatë.

Nëse e merr një ofertë nga një klub tjetër, Lazio mund ta shesë Muriqin.

Së fundmi interesimin për të e ka shtuar gjiganti turk, Galatasaray, shkruan “Gazeta Express”.

E në ndërkohë, aty mbetet edhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe, e cila po mundohet në të gjitha mënyrat për ta rikthyer lojtarin në Stamboll.

Muriqi do të ishte i kënaqur të luajë në Spanjë ose në Turqi, por jo edhe në Itali, ku e pati një eksperiencë dëshpëruese për një viti e gjysmë me Lazion, me të cilën i realizoi vetëm 2 gola dhe i bëri 2 asistime. 

(Kosova Sot Online )